Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), së bashku me komunën e Rahovecit dhe disa organizata joqeveritare mjedisore, po shënojnë sot Ditën Botërore të Tokës me disa aktivitete në komunën e Rahovecit, motoja e të cilave është “Një botë pa ndotje të plastikës”.
Ceremonia kryesore është mbajtur në Parkun e Qytetit, në të cilën ka marrë pjesë ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ceremoni ishte planifikuar të merrte pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, por ministrja Reshitaj tha se ai nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të një takimi të rëndësishëm që ka pasur.
Reshitaj tha se janë në Rahovec për të bërë apel në mbrojtjen e tokës. Ajo tha se Kosova si vend të zhvillim mund të bëjë shumë në mbrojtjen e tokës, e kjo arrihet sipas saj vetëm nëse shteti e shoqëria bashkojnë forcat.
“Jemi këtu bashkë me shumë studentë e nxënës, të cilët me idetë e tyre kreative na bëjnë të ndihemi turpëruar. Ne si institucione nëse nuk punojmë me përkushtim për t’iu dhënë hapësirë dhe mundësi që të na ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit. Çfarë mund të bëjmë ne si vend në zhvillim? Ne mund të bëjmë shumë nëse i bashkojmë forcat, që bashkërisht si institucione, shoqëri civile e ekspertë të bëjmë të kemi ipmakt në mbrojtën e tokës se Kosovës. Sepse ne jemi ata që kemi sakrifikuar shumë për këtë tokë dhe është momenti të mbrojmë atë, ta mbajmë të pastër për ne, fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, tha ajo.
Reshitaj tha se ministria që ajo drejton ka një strategji e cila parasheh veprime për mbrojtjen e tokës, siç është angazhimi për menaxhimin e mbeturinave. Ajo shtoi se shpreson që nuk do të shqiptojnë gjoba për ndotësit e ambientit.
“Në si ministri kemi bërë strategji për të qëndrueshme të planifikimeve tona mbrojtjen e mjedisit, njëra nga to është edhe menaxhimi i mbeturinave. E dhamë një shembull të mire në Mitrovicë dhe Suharekë ku për dy dite kemi arritur ti asgjësojmë të gjitha deponitë ilegale inerte dhe të lëngëta. Do të doja që të mos dalim me gjoba mandatore por jam e bindur që vet qytetarët do ta mbrojnë. Dua të zotohen se jemi dike punuar në fuqizimin e inspektoratit të qendrës. E kemi zgjedhur Rahovecin për të shënuar këtë dite sepse Rahoveci do të jetë shembull për mbrojtjen e mjedisit. Do të rrisim cilësinë e jetës së qytetarëve”, shtoi ajo.
Smajl Latifaj, kryetar i Rahovecit tha se po punojmë që qytetarët të kenë ambient sa më të pastër. Ai shtoi se Rahoveci jo rastësisht është zgjedhur për të shënuar Ditën e Tokës, pasi sipas tij, kjo komunë ka tokë të punueshme të vlefshme.
“Në ditën ndërkombëtare e tokës jo rastësisht është zgjedhur Rahoveci sepse është i njohur për tokë të pasur e të punueshme, e te vlefshme të cilën e bëjnë më të vlefshme fermerët tanë. Kjo është tokë e pasur për të punuar dhe për të nxjerrë produkte. Në ditën e tokës këtu pamë ide kreative të cila na sfidojnë dhe obligojnë të marrim veprime që të shohim tokën tonë të mbrojtur. Ne pamë ide dhe vepra të nxënësve tanë të cilat na bëjnë të turpërohemi si institucione. Kemi një paradoks, në njërën anë kemi njerëz punëtor e toka të punueshme, të paktën në Rahovec dhe kemi ekonomi te forta familjare, ndërkohe përballemi me sfidën e mbeturinave që i kemi. Kemi ndërmarrë disa veprime por janë absolutisht të pamjaftueshme”, tha ai.
Latifi ka kërkuar mbështetje nga ministrja Reshitaj për disa projekte, siç është ai për një transfer stacion të mbeturinave dhe për shtretërit e lumenjve të cilët shkaktojnë vërshime.
“Kemi disa kërkesa nga ministria. Kërkojmë mbështetje për disa projekte. Do ti kërkonim ministres një transfer stacion për mbeturina që do të ndihmonte menzhin të mbeturinave. Do ti kërkojmë ministres ndihmë për shtretërit e lumenjve për shkak se ka vërshime. Do ti kërkojmë mbështetje për kolektorin e ujerave të zeza dhe për drunjtë. Ne kemi një plan operacional për ti hequr deponit ilegale inerte dhe të amvisërisë. Do të kemi fushatë vetëdijesuese që të kemi ambient të pastër”, tha Latifi.
Lorik Mucaj, nga OJQ Green Center ka ftuar qytetaret të jenë më të kujdesshëm ndaj ambientit.
“Kemi filluar aktivitete të ndryshme në shenjë respekti për ditën e tokës ftoj qytetarët të jenë të kujdesshëm në sjellje ndaj mjedisit. Organizatat për menaxhimin e mbeturinave kanë nevojë për më shumë mbështetje nga qeveria dhe komuna, e mbi të gjitha nga qytetarët”.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Tokës, në Rahovec është organizuar garë në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të shkollave të kësaj komune, me temën “Toka dhe mjedisi jetësor”.
Tri punimet më të mira kanë marrë shpërblime dhe mirënjohje nga ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj. Gjatë këtyre aktiviteteve, po ashtu të rinjtë janë nxitur që të përdorin materiale të riciklueshme, derisa është bërë edhe promovimi i prodhimeve bujqësore të komunës së Rahovecit. Pastaj Reshitaj dhe Latifi kanë mbjellur drunj dekorativ.