Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Me këtë rast ministrja Reshitaj është takuar me homologun e saj ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Sadulla Duraki, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesja e MMPH pas takimit me Durakin tha se qëllimi i këtij takimi është dakordimi mes dy shteteve për mbrojtjen e mjedisit.
Ajo gjithashtu tha se duke pas parasysh që të dy shtete kanë për qëllim integrimin evropian do të bashkëpunojnë që të lehtësojnë rrugën drejt Bashkimi Evropian (BE).
“Ne të dy kemi fatin të jemi në krye të një dikasteri të rëndësie të veçantë të mjedisit. Bashkërisht do të luftojmë sfidat dhe do të mbrojmë mjedisin në të cilin jetojmë, të mbrojmë ajrin, të mbrojmë tokën sepse kemi një mision të përbashkët si ministria e mjedisit të zbatim sa më shumë kufijtë fizik që ndajnë qytetarët tanë sepse në çdo ditë e më shumë me të gjitha shtetet e tjera të zhvilluara po sfidohemi me ligjet e natyrës dhe nga ndryshimet klimatike”.
“Kjo edhe njëherit na bën të kuptojmë se sa të parëndësishëm janë kufijtë fizik kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre. Është një mision i veçantë që të mundohemi që në të dyja anët e kufirit të fillojnë nga kufijtë të ndryshojmë mjedisin tonë për të mirë për qytetarët të të dyja shteteve”.
“Të dy shtetet synim të vetëm e të përbashkët e kanë integrimin evropian, prandaj ne bashkërisht duke e forcuar dhe thelluar bashkëpunimin do të arrimë që këtë integrim ta lehtësojmë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian ta afrojmë sa më shumë që është e mundur për të gjithë qytetarët tanë”.
Ndërsa ministri i MMJPH-së Sadulla Duraki tha se në këtë takim ndër të tjera kanë biseduar edhe për harmonizimin e politikave mes dy qeverive si dhe finalizimin e tyre përmes një memorandum bashkëpunimi i cili sipas tij, do të nënshkruhet në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, raporton EO.
“Kishim një takim bukur e të frytshëm, biseduam për shumë gjëra që na lidhin midis dy shteteve ku Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë dy kryeqendrat e tyre janë më së afërmi me njëri tjetrën edhe kështu edhe bashkëpunimi do të jetë shumë i afërt shumë vëllazëror. Neve na lidhin natyra, biseduam për natyrën ku lidhet Mali Sharr ku në pjesën e Kosovës është bërë si park nacional është shpall park nacional kurse pjesa jonë ka mbetur nga republika e Maqedonisë është duke u punuar që të shpallim park nacional kudo të jetë një bashkëpunim ndërkufitar turistik”.
“Bashkëpunuam edhe për çështjen e ujërave ku lidhemi ne si shtet me lumin Lepenc dhe për gjërat për çështjen e ajrit. Ku politikat tona do të harmonizojmë të përbashkëta ku do ti finalizojmë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive një memorandum që është duke u shqyrtuar dje është duke u përgatitur që është propozuar nga ministresh e Kosovës dhe poashtu ne jemi të pajtuar që ai memorandum të nënshkruhet në mbledhjen e përbashkët”.
Ministrja Reshitaj gjatë vizitës së saj në kryeqytetin maqedonas do të takohet edhe me zv.kryeministrin Hazbi Lika si dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.