Në Komunën e Mitrovicës është bërë lansimi zyrtar i projektit “Zbatimi i skemës së ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim” në komunën e Mitrovicës, ku e pranishme ishte ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Albena Reshitaj tha se ministria është zotuar që Mitrovicën ta bëjnë shembull për të gjitha vendet e tjera sa i përket trajtimit dhe mbrojtjes së mjedisit, raporton Ekonomia Online.
“Ky vit është viti i pastrimit dhe gjelbërimit të Republikës së Kosovës dhe me këtë projekt që është ndihmuar nga GIZ-i gjerman vetëm po japim një shembull të fillimit të një pune të jashtëzakonshme që do të bëhet në mbrojtje të mjedisit, gjegjësisht në një strategji të qëndrueshme të trajtimit të mbeturinave në vendin tonë. Jam e lumtur që Komuna e Mitrovicës tashmë e ka filluar këtë projekt dhe kam besim të plotë që do të jetë shembull edhe për të gjitha komunat e tjera se si do të menaxhohet dhe implementohet i tërë projekti”, tha Reshitaj.
“Ne kemi nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës dhe njëri nga memorandumet ka të bëjë me ndërtimin e një fabrike për trajtimin e mbeturinave në gjithë komunën e Mitrovicës dhe se ky është një projekt i cili bëhet për herë të parë në këtë komunë”, shtoi Reshitaj.
Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Mitrovicës, tha se shpreson që do të kenë mirëkuptim qytetarët e kësaj komune dhe ta mbështesin projektin e lansuar, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për këtë komunë, raporton EO.
“Falënderojmë shumë GIZ-in që na ka ndihmuar në projekte të ndryshme, po ashtu edhe ministrja që na ka përkrahur, kënaqësi e veçantë që sot kemi 51 pika të cilat janë në Mitrovicë me kontinierë që janë të klasifikuara për secilin produkt. Mitrovica i përket Bashkimit Evropian dhe qytetarëve evropianë dhe i lus të gjithë qytetarët të kenë kujdes në hudhjen e mbeturinave, sepse janë të përcaktuara secila se çka duhet të gjuhet në to”, tha Bahtiri.
Kai Hofmann nga GIZ-i gjerman tha se Qeveria gjermane ka përkrahur gjithmonë Qeverinë kosovare në implementimin e projekteve, dhe do të vazhdojë edhe më tej të jetë përkrahëse në këso projekte.
“Në Kosovë ka shumë komuna që janë duke e mbështetur këtë projekt dhe shpresoj që do të ketë sukses dhe ndryshimet në të ardhmen kërkojnë shumë mbështetje nga të gjithë, andaj ne jemi duke punar me lidershipin tuaj dhe shpresojmë që ta arrijmë atë që e kemi dashur”, tha Hofmann.