Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë sjellë probleme në disa zona të vendit. Më e rënduar situata është në Shkodër. Drini e Buna kanë përmbytur rreth 1600 ha tokë bujqësore. Bashkia Shkodër ka kërkuar ndihmë për transportin e banorëve të fshatit Obot nga makinat e ushtrisë, pasi rruga është e pakalueshme për mjetet e tjera.
Probleme ka pasur edhe në Lezhë. Në lagjen “Besëlidhja” ka prezencë të madhe të ujit. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në digë, kanë nisur shkarkimet nga hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit. Kjo ka sjellë rritjen e nivelit të prurjeve në lumin Mat, duke ngritur alarmin për përmbytje në zonën e bregut të Matës në Lezhë dhe Fushë Kuqes në Kurbin.
Reshjet rikthyen përmbytjet në Durrës, ku dhjetëra rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësorët, pasi uji doli në nivelet e trotuareve, ndërsa vështirësi në qarkullim patën dhe automjetet.
Raportohet se lumi Erzen dhe lumi Ishëm kanë dalë nga shtrati dhe uji ka depërtuar në 15 banesa. Në Jubë e Katund të Ri, Rrushkull e disa fshatra të tjerë janë evakuuar dhjetëra familje.
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati solli gjithashtu probleme edhe për Fierin dhe Vlorën. Shtabi i emergjencave në qytetin bregdetar ka nisur njoftimet për evakuimin e banorëve dhe bagëtisë për 15-20 banesa brenda shtratit të lumit.
Edhe në Borsh, reshjet e vazhdueshme të shiut kanë sjellë rrëshqitjen e rrugës, duke krijuar vështirësi në kalimin e automjeteve.