Reshjet sivjet edhe zgjatën të korrat, edhe i ulën rendimentet

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 09:36 | Nga

Hysni Krasniqi, nga Komuna e Shtimes vjet kishte mbjellë 17 hektarë me grurë. Ai shprehet i pakënaqur me rendimentet e grurit, ndërsa fajin ua lë kushteve të këqija klimatike të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në uljen e rendimenteve, por edhe të cilësisë së grurit.

“Unë i kam 17 hektarë të mbjella me grurë. Rendimenti është rreth 4 mijë kg për hektar dhe sivjet është më dobët pasi vitin e kaluar, kur rendimenti ka qenë nga 5 mijë kg për hektar. Shpenzimet janë më të mëdha, ndërsa rendimentet janë më të ulëta.”

Sipas të dhënave që Ministria e Bujqësisë posedon nga terreni, të reshurat kanë ndikuar në ulje të lehtë të rendimenteve. Isuf Cikaqi, drejtor për Politika Bujqësore, tha se krahasuar me pritshmërinë , rendimentet janë më të ulëta.

“Pritjet kanë qenë bukur të mëdha bazuar nga gjendja e grunajave që ka qenë në fillim të vitit. Por fatkeqësisht në muajin qershor filluan reshjet në disa parcela dhe në disa vende ndikoi në rrëzimin e grunajave duke ndikuar kështu në uljen e rendimenteve.”

Por, siç i tha Cikaqi, cilësia e grurit është brenda normave të parapara.

Isuf Cikaqi i tha Radio Kosovës se “Parametrat e kërkuara të cilësisë së grurit janë brenda normave të parapara, dhe kjo na bënë me u ndie mirë. Ndërsa te rendimentet do të ketë një ulje të lehtë bazuar në pritjet tona.”

Deri më tani, fushata është kryer në rreth 50 për qind të sipërfaqeve me grurë, e kjo shifër edhe mund të ndryshojë nga dita në ditë, pasi ka një numër të madh të autokombajnave në terren. Sipas të dhënave që ka Ministria e Bujqësisë, këtë vit ishin të mbjella gjithsej 74 mijë hektarë me drithëra të bardha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme