E njohur si kullë e pajtimeve të para të gjaqeve ndër shqiptarë, Kulla e Fazli Boqollit ka nisur restaurimin me financimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi ka vizituar këtë kullë, e cila gjendet në fshatin Raushiq të Pejës, ku ka bërë të ditur se jo vetëm kjo, por edhe kulla të tjera do të mbështeten nga ministria që ai udhëheq.
“Si ministri, kemi ndarë mjete të mjaftueshme sipas kërkesës së Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, me qëllim që këtë kullë, por edhe kullat e tjera në Rrafshin e Dukagjinit t’i restaurojmë, pra të gjitha këto kulla që kanë një domethënie jashtëzakonisht të madhe dhe historike të periudhave të ndryshme”.
Gashi ka shprehur interesimin dhe gatishmërinë e MKRS-së për mbështetjen e kërkesave të tilla për restaurim të kullave të tjera, raporton Ekonomia Online.
“Jemi këtu që të konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë tonë si Ministri e Kulturës, që do të ndajmë mjete të mjaftueshme edhe për projekte të tjera të kësaj natyre, sepse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe unë si ministër, jemi jashtëzakonisht të interesuar që të ruajmë dhe të rikthejmë këto kulla në funksion, varësisht prej rolit që e kanë luajtur edhe në të kaluarën, edhe tani. Besoj se viti 2019 do të jetë vit i veçantë sa i përket investimeve në këto kulla”.
“Këto që ekzistojnë, themelet e tyre që ekzistojnë, jemi të interesuar si ministri t’i funksionalizojmë”, shtoi ministri Gashi.
Kurse drejoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Pejës, Shpresa Tolaj- Gjonbalaj, ka treguar rëndësinë dhe vlerën e kullës së Fazli Boqollit nëpër periudha të ndryshme në Kosovë, raporton EO.
“Vërtet kjo kullë është një prej monumenteve me vlerë kapitale, jo vetëm në aspektin arkitektonik, por ka vlera të veçanta historike, meqenëse që nga themelimi i saj, kulla njihet për veprimtari patriotike. Posaçërisht në vitet e 90-ta, ky monument ka qenë në shërbim të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, në krye me Anton Çetën, ku në odën e kësaj kulle atë kohë janë pajtu shumë gjaqe”.
“Ndërkohë kjo kullë ka qenë e destinuar edhe si shkollë shqipe në kohën e sistemit paralel në Kosovë, e më vonë ka kontribuar edhe me punimin e armëve dhe riparimin e armëve në kohën e rezistencën çlirimtare, për nevojat e UÇK-së”.
Tolaj-Gjonbalaj ka thënë se punimet do të realizohen në një periudhë të shkurtër kohore, pasi, sipas saj, punimet janë duke u zhvilluar sipas dinamikës dhe planit të paraparë.
Djali i Fazli Boqollit, Shahin Boqolli, ka falënderuar veçanërisht MKRS-në dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në restaurimin e kullës.
“I falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ata që janë përkushtuar për restaurimin e kësaj kulle, sepse e thanë se ka vlerat e saj historike, për pajtimin e gjaqeve. Siç e tha edhe drejtoresha, pajtimi i parë është bërë në këtë kullë, pastaj kanë vazhdu edhe në tjera”.