Pas një angazhimi dhe pune disamujore ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së familjes Zhoriqi në Prizren.
Memorandumi i Mirëkuptimit i lidhur ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Këshillit Danez për Refugjatë (DRC), mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar e akredituar në Kosovë për restaurimin e shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit ka rezultuar të jetë tejet i suksesshëm, transmeton Koha.net.
Kjo ndërtesë gjendet në rrugën “Marin Barleti” prapa Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren dhe gjendja e saj ishte shumë e keq, andaj pas konsultave dhe një bashkëpunimi të ngushtë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren me donatorët është përzgjedhur nga Ambasada Britanike dhe DRC për restaurim në kuadër të programit “për kthim dhe integrim të qëndrueshëm” të personave të zhvendosur.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren përmes këtij memorandumi ka marrë për obligim të hartojë projektin e restaurimit si dhe të bëjë restaurimin dhe konservimin e fasadës së jashtme të ndërtesës.
Fasada e shtëpisë së familjes Zhoriqi është punuar në frymën neoklasike të dekoruar me profilime të ndryshme në gjithë sipërfaqen e saj. Materiali që është përdorur është llaçi gëlqeror. Gjatë viteve nga ndikimi i kushteve atmosferike dhe nga mosmirëmbajtja, fasada ishte dëmtuar mjaft shumë, andaj si pasojë e kësaj ka qenë i pashmangshëm intervenimi në këtë ndërtesë.