Kapiteni i Borussia Dortmundit, Marco Reus, është shprehur i kënaqur me fitoren e ekipit të tij në udhëtim ndaj Sevillas (3:2), në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Championsit.
Pas përfundimit të ndeshjes, Reus ka thënë se është optimist se Dortmundi do të avancojë në çerekfinale të kësaj gare pas triumfit në duelin e parë.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave, do të luhet më 9 mars.
“Është një ndjejnë e mirë që e kemi fituar ndeshjen e parë. U treguam ekip kompakt dhe reaguam menjëherë pas golit të pranuar duke shënuar tri herë në pjesëlojën e parë. Në përgjithësi, patëm paraqitje fantastike në pjesëlojën e parë”, ka thënë Reus. “Në pjesën e dytë ishim paksa më pasiv dhe kjo na kushtoi me gol. Ishte një ndeshje më e vështirë se që kemi pritur, por në fund arritëm të fitojmë. E kemi edhe ndeshjen e kthimit, por me rëndësi është se kemi bërë një hap drejt çerekfinales”.
Ndërkohë, sulmuesi i Sevillas, Luuk de Jong, vlerëson se gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit.
“Gabimet në pjesën e parë na kushtuan shumë. U rikthyem në të dytën dhe patëm një ritëm të mirë të lojës. Mendoj se është shumë e rëndësishme që shënuam dy gola. Mendoj se gjithçka është e hapur në ndeshjen e kthimit për të cilën jam optimist”, është shprehur De Jong.