Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se deri në këto momente Lidhja Demokratike e Kosovës është duke e kryer zotimin e saj vetëm pjesërisht sa i përket votimit të presidentit.
Rexhaj në një intervistë për KTV-në theksoi se mos votimi nga tre deputetët e LDK-së për Vjosa Osmanin si presidente, bën që kjo parti ta kryejë zotimin e saj vetëm pjesërisht.
“LDK po e përmbush zotimin e saj, por jo në mënyrë të tërësishme. Besoj thellësisht që ka deputetë që mendojnë objektivisht, ndryshe siç e thotë Kushtetuta, shkojmë në zgjedhje. Si Vetëvendosje nuk e dëshirojmë këtë, pasi veçse kemi filluar t’i konstituojmë institucionet. Nuk është punë e Vetëvendosjes t’i bind deputetët e LDK-së”, deklaroi Rexhaj.
Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj janë tre deputetët e LDK-së që nuk po votojnë për votimin e presidentit, pavarësisht se janë duke marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme. Kuorumi në rundin e parë mungoi për dy vota, ndërsa në përsëritjen e rundit të parë mungoi një.