Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka uruar për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Hoti përmes rrjetit social “Facebook”, ka uruar edhe djalin e tij i cili është oficer për zyrtarizimin e ushtrisë së dytë shqiptare në Ballkan.
“Duke e uruar djalin tim oficer për zyrtarizmin e ushtrisë së dytë shqiptare në Ballkan, uroj në radhë të parë shokët e tij, familjet e tyre dhe mbarë qytetarët e Republikës pa dallim.
Gëzuar!
Në ditën e sotme u zyrtarizua jo vetëm ushtria e Kosovës, por, dhe, mbi të gjitha:
Së pari, statusi i saj i përjetshëm strategjik – ushtarak në raport me ShBA-të;
Së dyti, ShBA dhe Kosova e kanë tashmë ushtrinë në kufirin Perëndim-Lindje të Europës Juglindore;
Së treti, Kosova së bashku me zyrtarizimin e ushtrisë e ka zyrtarizuar edhe statusin e popullit special në raport me ShBA-në të cilin e ka vetëm populli hebre;
Se katërti, me krijimin e ushtrisë BE-ja e ka humbur shansin e saj përfundimtar për të qenë në një rend të interesave shqiptare me ShBA-të. Krijimi i ushtrisë së Kosovës pa bekimin e BE-së, po vetëm me miratimin e Britanisë së Madhe, dëshmon se princeshat dhe princat e BE-së vazhdojnë të jenë të dashuruar në egot e tyre jo rrallë të përlyera dhe vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën vetëm si mish për punë fizike dhe të shërbimeve për ta;
Së pesti, ushtria e ka hedhur këmbën e mbarë se Kosova nuk do të mund të shantazhet më, sado e padenjë qoftë klasa e saj politike me ose pa gjykata”, ka shkruar Hoti në Facebook.