Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, të cilit i ka dorëzuar Platformën Politike 2026–2126, të titulluar “Strategjia Nacionale 100-Vjeçare”.
Sipas Rexhepit, gjatë takimit ai e ka informuar ambasadorin Malaj për aktivitetet dhe misionin e fundit të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ndërsa qëllimi kryesor i vizitës ishte prezantimi dhe dorëzimi i kësaj platforme.
Rexhepi ka theksuar se strategjia nuk pretendon të jetë një dokument i përsosur, por synon të shërbejë si pikënisje për një debat më të gjerë kombëtar, me synimin që akademitë, institucionet dhe komuniteti shkencor e strategjik të ndërtojnë një vizion afatgjatë, përtej mandateve politike dhe cikleve të shkurtra.
Platforma, sipas tij, përfshin objektiva në tri horizonte kohore:
2026–2036 – objektivat për 10 vitet e ardhshme;
2026–2076 – objektivat për 50 vitet e ardhshme;
2026–2126 – vizioni 100-vjeçar.
“Sepse shtetet ndërtohen me institucione, ndërsa e ardhmja e një kombi sigurohet me vizion, strategji dhe vazhdimësi”, ka deklaruar Rexhepi.
Në përfundim të takimit, Rexhepi i ka dhuruar Ambasadës së Republikës së Shqipërisë një fotografi të vendosur në kornizë, si dhe postera e kartolina të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”.
Ai ka falënderuar gjithashtu Ibush Reçicën për sigurimin e kornizës dhe të një sasie posterash e kartolinash, të cilat, sipas tij, do të shpërndahen në aktivitetet e ardhshme të shoqatës.
Rexhepi e ka përmbyllur njoftimin me mesazhin: “Një komb që mendon për 100 vitet e ardhshme, nuk ndërton vetëm të ardhmen e tij, por edhe vendin e tij në histori.”