Një rezidencë luksoze mes alpeve të Bavarisë, me ajër të pastër dhe larg zhurmës së përditshme të Berlinit, që po shndërrohej me shpejtësi në një nga kryeqendrat e Evropës.
Kjo ishte shtëpia e pushimit të Adolf Hitler, ku “Fyhreri” kaloi edhe pjesën më të madhe të kohës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
E ashtuquajtura “Berghof” është ndërtuar në vitin 1916. Hitleri e mori me qira në vitin 1928 dhe pesë vite më vonë e bleu të gjithë atë me të ardhurat e siguruara nga shitja e manifestit “Mein Kampf”.
Sapo e mori në dorëzim, ai e zgjeroi me disa hektarë të tjerë pronën e tij dhe në mes të viteve ’30, rezidenca u kthye në një destinacion turistik për njerëz dhe mbështetës të tij që udhëtonin deri në alpe për t’u takuar me liderin e tyre apo për të parë vendin se ku jeton ai.
Para se të niste lufta, në këtë rezidencë Hitleri ka pritur edhe disa udhëheqës botërore, përfshirë këtu kryeministrat britanikë, Neville Chamberlain, David Lloyd George dhe Dukën e Dukeshën e Windsorit.
Ndërtesa fillestare u modifikua gjerësisht dhe në të u hapën edhe bunkerë strehimi për Hitlerin, që ta përdorte si bazë në rast lufte.
Në “Berghof” Hitleri qëndroi më shumë se çdo vend tjetër gjatë viteve të luftës së madhe dhe u largua vetëm nga mesi i vitit 1944, njofton tch.
Në prill të 1945, 12 ditë para kapitullimit të Gjermanisë, rezidenca u bombardua nga britanikët dhe në fillim të majit u dogj nga trupat naziste SS dhe ato që i mbijetuan zjarrit u grabitën pas mbërritjes së trupave aleate në zonë.
Rrënojat, që tregonin se dikur në atë zonë ngrihej një rezidencë madhështore u zhdukën nga Gjermania Perëndimore në vitin 1952, si parandalim që të shndërrohej në një vend pelegrinazhi për ithtarët e diktatorit gjakatar.