Ende jam duke menduar rreth rezultateve të anketës që u publikuan dje. Ishte nga prilli 2023 por kishte një diskrepancë e thellë dhe të gjerë mes pakënaqësisë dhe neutralitetit me drejtimin politik të vendit dhe përkrahjes politike. Psh vetëm 7% janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit. Dikush nga opozita mundet me thënë 93% nuk janë dakord me drejtimin politik të vendit. Po po, mirë e lexove, nëntëdhjetë e tre % nuk e aprovojnë drejtimin politik. Çka dmth kjo? Kjo dmth që njerëzit nuk e përkrahin polarizimin politik dhe avanturat në veri, sidomos acarimin e rrezikshëm me SHBA dhe Gjermani.
Nëse nuk i besoni kësaj ankete, shikoni tjerat. Mbi 50% kanë dëshirë dhe e projektojnë ardhmërinë jashtë vendit të tyre të lindjes dhe larg familjes e sigurisë socio psikologjike. Njerëzit janë të lodhur dhe traumatizuar nga tensionet politike dhe krizat ekonomike. Ky vend po vuan për një paradigmë të re. Për vetëm 13% po funksionon kjo metodë ekonomike. Për 87% janë rritur çmimet në qiell dhe mezi ja dalin deri me datën 20 të muajit. Nuk është vetëm ekonomia, qytetarët tanë po kërcënohen me luftë nga politika. Si mos me shiku një termin për Gjermani?
Rrjedhimisht, përkrahja për Presidenten 60% dhe Kryeministrin 51%. Kjo anketë është bërë para momentit të gabimit “naiv” me siguri. Unë skam si mos ti besoj anketës, edhe pse e di mirë si mund të sajohen rezultatet në bazë të metodës dhe pyetjeve si formulojmë. Gjithmonë është mirë me i pas 2-3 burime kredibile për me u rritë besueshmëria. Por këtu një diskrepancë e madhe shihet që është mes pakënaqësive dhe kënaqësive. Gjithmonë duhemi me pas kujdes me anketa dhe statistika. Më duket një politikan dilte 27% në këtë anketë dhe shpalli zgjedhjet. Ai, nëse kujtoj mirë, fitoi nën 10%.
Në Angli, ku kanë eksperiencë të gjatë dhe thellë me politikë dhe anketa, e kanë një thënie: “There are three kinds of lies: Lies, Damned Lies, and Statistics” (Shqip: “Ka tre lloje gënjeshtrash: Gënjeshtra, Gënjeshtra të Mallkuara dhe Statistikat”).
Kjo thënie ju atribuua një Kryeministri Anglez. Nuk po pretendoj asnjë sekondë që anketa është jo e saktë, kush jam unë ta bëjë atë. Por kujdes me statistika. Këtu kemi një diskrepancë të thellë dhe çuditshme. Merrini me sportivitet.