Bëhen gjashtë vjet nga ndërhyrja e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, në atë që njihet përpjekje e parë serioze për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin.
Ndonëse krerët e shtetit atë kohë, por edhe në përvjetorët e asaj ndërhyrjeje, e vlerësojnë si aksion që ka penguar ndarjen e Kosovës, shumëçka atje funksionon si edhe para aksionit, shkruan sot Koha Ditore.
Barrikadat e vendosura në shumë akse rrugore të komunave veriore kanë qëndruar me vite dhe janë larguar tek kohëve të fundit. Por ato nuk kanë rëndësi, meqë simbolet e ndarjes dhe pengimit të lëvizjes së lirë, siç është ura mbi Ibër dhe rruga kryesore e Mitrovicës veriore mbeten edhe më tej të bllokuara.
Në aksionin e 25 korrikut 2011 pati humbur jetën Enver Zymberi, njëri nga policët e njësitit ROSU, pasi në të dhe pjesëtarët e tjerë kanë shtënë me armë zjarri grupe të armatosura nga pjesa veriore. Askush nuk është dënuar për vrasjen e Zymberit.
Ky intervenim, si dhe shumë raunde bisedimesh nuk kanë mundur të ndryshonin gjendjen atje.
Struktura paralele të Serbisë vazhdojnë të jenë aktive, madje ato dyshohet se qëndrojnë mbrapa sulmit mbi pjesëtarët e policisë dhe shumë sulmeve tjera mbi qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe prona të shqiptarëve të asaj pjese