Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit në fund të këtij muaji.
Kështu ka paralajmëruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Ajo ka thënë se kandidatët për deputetë janë ata të cilët e kanë prolonguar këtë proces.
“Sipas parashikimeve tona, besoj që ashtu siç kemi thënë, në fund të qershorit, do të ndodhë certifikimi i rezultatit zgjedhor. Nuk po mund të themi data, sepse nuk varet krejtësisht nga na. Kandidatët sërish e kanë prolonguar procesin”, ka thënë Daka për Indeksonline.
E para e KQZ-së ka bërë me dije se më së largu të shtunën do të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.
Daka i ka vlerësuar të pakuptimta ankesat e partive në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare.
“Partitë të disiplinojnë komisionerët dhe kandidatët të mos bëjnë presion mbi komisionerë. Po na përsëritet storia e vjetër. Kandidatët për interesa personale i kanë shty komisionerët më i rregullu votat”, ka shtuar Daka.
E pyetur, nëse dështon formimi i institucioneve a do të ishte KQZ-ja e gatshme të organizonte një tjetër proces zgjedhor para zgjedhjeve lokale, Daka ka thënë se nuk e kanë menduar këtë çështje.
“Varet krejt nga konstituimi i Kuvendit. Janë afatet kushtetuese, nëse ajo ndodh, ishalla nuk ndodh, sepse kemi pasur boll zgjedhje”, ka theksuar ajo.
Aktualisht KQZ është në proces të rinumërimit të 280 kutive të votimit pas ankesave nga ana e kandidatëve për deputetë.