Rezultatet preliminare: Vuçiqi fiton edhe një mandat si president dhe shumicën në Kuvendin e Serbisë

Prishtinë | 03 Pri 2022 | 23:16 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e Serbisë votuan të dielen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60 për qind të votuesve.

Kjo është një shifër më e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale.

Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiqit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë, raporton REL.

Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/ CeSid, në bazë të 62.5 për qind të votave të përpunuara, lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6 për qind.

Ndërkaq, koalicioni opozitar “Të bashkuar për fitore” pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.

Partneri i koalicionit të SNS-së, Partia Socialiste e Serbisë, sipas rezultateve paraprake, ka fituar 11.6 për qind të votave.

Koalicioni NADA pritet të fitojë 5.4 për qind, teksa koalicioni “Ne duhet” 4.3 për qind, Dveri 4 për qind dhe Zavetnici 3.9 për qind të votave.

Në anën tjetër, shqiptarët duket se do të fitojnë vetëm një mandat. Shaip Kamberi pritet të jetë i vetmi deputet shqiptar, përderisa ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka dështuar keq në këto zgjedhje.

Përfaqësuesit e Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë. Opozita ka kritikuar vendimin e komisionit duke e cilësuar si të paprecedent.

Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00.

Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.

Të ngjashme