Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Ekipi i OKB-së në Kosovë, së bashku me UNWOMEN, kanë organizuar diskutim në lidhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ), përkatësisht barazinë gjinore, raporton Ekonomia Online.
Në këtë diskutim u tha se dhuna tek gratë vazhdon të jetë shqetësuese. U kërkua që të mos bëhet dallimi në mes të pasurve dhe të varfërve.
Panelistët në këtë diskutim kërkuan nga institucionet që të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
Shefja e UNDP-së për Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se është shqetësuese numri i grave që kanë përjetuar dhunë.
Ajo tha se 35 për qind e grave në botë kanë përjetuar dhunë ose janë diskriminuar, raporton EO.
“E shohim dallimin e madh në mes të pasurve dhe të varfërve. Kjo kërkon që e gjithë shoqëria të merremi me ta. Barazia gjinore merret jo vetëm me boshllëqet në kornizën politike por edhe merret me perceptimin tonë që dominon sterotipet dhe është larg patriarkizimit në shoqërinë tonë. Numrat janë shokues. 1 në tre gra sipas OBSH-së, 35 për qind kanë përjetuar dhunë”, ka thënë Richardson.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Petrit Çollaku, ka përmendur disa raste të keqtratimit të gazetarëve dhe kameramanëve, për të cilat ka thënë se institucionet e vendit nuk janë marrë me to.
“Rastet , qe disa prej tyre kanë përfunduar edhe në raste tragjike, kjo do të duhej të ishte objektiva e parë . AGK, është viti i tretë që ka të bëjë me lirinë e mediave. Një kolege kameramane në vitin 2014 ka qenë e sulmuar fizikisht në një ngjarje dhe ishte e vetmja aty. Personi e sulmon brutalisht dhe ai rast vazhdon te mos trajtohet nga institucionet tona”, ka thënë Çollaku.
Angjelka Çup, nga Gracanica Online, ka folur rreth pozitës së gruas dhe rolit të saj në shoqëri.
“Ne jemi në një shoqëri të polarizuar ende. Kur bisedojmë për barazinë gjinore gjithmonë mendojmë për gratë në Parlament dhe askush nuk mendon për gratë në shtëpi. Shkoni nëpër fshatra dhe shikoni gratë dhe jetesën”, ka thënë ajo.