Dëshmitari Eset Ramadani ka thënë se nuk ishte i sigurt për të bërë identifikimin e të akuzuarve Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi si personat që nga ai kishin blerë një motoçikletë e cila ishte përdorur për sulmin ndaj Kuvendit.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së martës, në rigjykimin e ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe tre aktivistëve të tjerë, të cilët po akuzohen për vepra penale të terrorizmit, pasi të njëjtit iu ishin prezantuar disa fotografi.
Në këtë proces gjyqësor i cili ishte kthyer në rigjykim, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, janë duke u akuzuar me pretendimet se ata janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2014, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Dëshmitari Eset Ramadani ishte ftuar për të sqaruar disa rrethana që kanë të bëjnë me fotografitë, nga të cilat i njëjti i kishte identifikuar të akuzuarit Haliti dhe Arifi si personat që ua kishte shitur një motoçikletë.
Gjykatësi Kalludra, në seancën e së martës, ia ka prezantuar dëshmitarit disa fotografi dhe kërkoi nga i njëjti që të deklarohet se cilët persona i kishte identifikuar si blerës të motoçikletës.
“Përafërsisht fotografitë 5 dhe 7, por nuk jam i sigurt dhe atë foto 5 ka të bëjë me të akuzuarin Egzon Haliti dhe 7 me të akuzuarin Atdhe Arifi”, ka deklaruar dëshmitari.
Pasi dëshmitari kishte deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratave që i kishte dhënë në polici, mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Arifi, avokati Ramiz Krasniqi e pyeti dëshmitarin se a është e saktë se në polici kur e kishte bërë identifikimin e fotografive, në pyetjen e hetuesit se a mund t’i njihte personat drejtpërdrejt apo përmes fotografive, i njëjti kishte deklaruar se vetëm nëse i shoh nga afër mund t’i identifikojë, por jo edhe përmes fotografive.
“Unë kam qenë në atë kohë shumë i ngarkuar pasi jam zgjuar në 3 të mëngjesit për me shku në treg për shitjen e veturës dhe motoçikletës, por shumë kohë e shkurtër ka qenë kontaktimi me ata persona të cilëve ua kam shitur motoçikletën dhe nuk kam mujt qaq shumë me i majt n’mend”, është përgjigjur dëshmitari Ramadani.
Ai ka thënë se kishte deklaruar se përafërsisht personave që ua kishte shitur motoçiklën ishin të afërt në pamje me personat që ua kishte prezantuar policia përmes fotografive.
Dëshmitari ka thënë se ishte i vërtetë edhe deklarimi i tij në seancën e shqyrtimit gjyqësor të kaluar se kur iu ishte kërkuar që të bëjë identifikimin e të akuzuarve në sallë të gjykimit, ai nuk kishte mundur t’i identifikojë, duke mbetur në tërësi pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Pasi dëshmitarit i prezantohen procesverbali mbi intervistimin e dëshmitarit me 5 gusht 2016, si dhe procesverbali mbi identifikimin përmes fotografisë të 26 gusht 2016, ai ka thënë se në të dy procesverbalit ishte nënshkrimi i tij.
I akuzuari Frashër Krasniqi e ka pyetur dëshmitarin se a ishte i sigurt se personat që i kishte identifikuar ishin personat që e kishin kontaktuar, por kjo pyetje nga është lejuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra pasi sipas tij, dëshmitari ishte deklaruar disa herë për këto rrethana dhe se pyetja nuk ka të bëjë asgjë me të akuzuarin Krasniqi.
Mbrojtësi i të akuzuarës Adea Batusha, avokati Ali Beka e pyeti dëshmitarin në lidhje me procesverbalin mbi identifikimin e të dyshuarve përmes fotografive, në të cilin në një fjalë thuhet se dëshmitarit i ishin prezantuar 10 fotografi, ndërsa në një tjetër rresht të këtij procesverbali thuhet se i ishin prezantuar fotografi me numër rendor 1 deri në 8.
Dëshmitari ka deklaruar se nuk i kujtohet se sa fotografi ia kishte prezantuar policia.
Në seancën e së martës është dëgjuar edhe dëshmitari Skënder Imeri i cili ka thënë se i kujtohet se njëherë kishte dhënë deklaratë në polici para 4-5 vitesh, por tha se mbetet pranë asaj deklarate, por sipas tij disa fjalë ia kishin shtuar.
Në pyetjen e prokurores special se a i kujtohet dëshmitarit përshkrimi i motorit dhe i personave në atë deklaratë, ai ka thënë se nuk i kujtohet.
Prokurorja Fejzullahu, e ballafaqoi dëshmitarin me këtë deklaratë, në të cilën deklaratë kur iu ishte kërkuar nga policia që të përshkruajë motorin dhe personat të cilët kishin qenë në motor ai ishte përgjigjur “për shkak të shqetësimit që kam ndje nuk më kujtohet ngjyra e motorit, mirëpo e di që kanë qenë dy persona, me sa më kujtohet drejtuesi i motorit ka qenë me helmetë, ndërsa personi tjetër i ulur mbrapa nuk ka pasur helmetë dhe ka qëndruar i mbështetur mbi shoferin”.
Ai po ashtu në këtë deklaratë kishte thënë se shoferi kishte qenë më i vogël se pasagjeri, pasi sipas tij pasagjeri kishte qëndruar i “krrusur” mbi shoferin, dhe se nuk i kujtohet as ngjyra e motorit e as e rrobave të personave si dhe as pamja e tyre.
“Sa më kujtohet jam pyetur se a keni parë diçka pas gjuajtjes së Kuvendit, ne kemi dalë pas kësaj ngjarje të gjithë që kemi qenë afër kemi dalë me shiku se çfarë ka ndodhur dhe unë as nuk kam thënë dy persona as nuk kam thënë me helmeta as më i madh as më i vogël, ka qenë tollovi, kallabllak, terr, dhe nuk kam mujt me identifiku askënd”, ka thënë dëshmitari, edhe pse i njëjti e pohoi se nënshkrimi në këtë deklaratë ishte i tij.
Prokurorja Fejzullahu e pyeti dëshmitarin se para se ta nënshkruajë këtë deklaratë a e kishte lexuar ai personalisht apo nga ana e policisë, dëshmitari ka thënë se nuk e kishte lexuar pasi nuk mund të shihte pa syze, por sipas tij nuk i kujtohej se a ia kishin lexuar këtë deklaratë apo jo.
Mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Arifi, avokati Ramiz Krasniqi e pyeti dëshmitarin se a e kuptoni fjalën “i krrusur”, dëshmitari ka thënë se nuk e kuptonte këtë fjalë dhe se për herë të parë po e dëgjon këtë fjalë.
Ai ka qëndruar pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Në seancën e së martës është dëgjuar edhe dëshmitari Refki Jashari, i cili ka mbetur pranë deklaratës së dhënë në polici me 10 gusht 2016.
Ai ka thënë se ishte i vërtetë deklarimi i tij në këtë deklaratë se në natën kritike kishte dëgjuar vetëm një krismë dhe se pas sulmit ndërhyrja e policisë kishte qenë shumë e shpejt, por i njëjti ka deklaruar se nuk i kujtohet se në cilën pjesë të qytetit kishte ardhur policia.
Ndryshe, për shkak të mungesës së dëshmitarëve Egzon Metolli, Remzi Zogiani dhe Korab Veseli, të cilët sipas gjykatësit Kalludra, sipas fletë kthesës nuk ishin gjetur në adresën e dhënë, i njëjti ka kërkuar nga palët që të deklarohen se a dëshirojnë që të njëjtit të provohen të ftohen përsëri apo të lexohen deklaratat e tyre.
Lidhur me këta dëshmitarë, mbrojtja ka kërkuar që të ftohen për seancën e radhës, propozim të cilin nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Fejzullahu dhe në fund e ka aprovuar edhe trupit gjykues.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra ka refuzuar kërkesën e avokatit të Frashër Krasniqit, Florent Latifaj i cili me anë të një parashtrese kishte kërkuar që procesverbali mbi identifikimin e personave përmes fotografive të shpallet si provë e papranueshme.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 dhjetor 2020, në ora 09:00.
Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, e paraparë të mbahej me 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, në fund të së cilës seancë, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit të po atij viti, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por, që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktoj frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./BetimipërDrejtësi