Në muzeun e Kosovës sot u rihap ekspozita “Ngjyrat e shpirtit”, me gjithsej 30 piktura të realizuara nga gra të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Sipas menaxheres së këtij projekti, Rozafa Kelmendi qëllimi i kësaj ekspozite është që të mbijetuarat e dhunës seksuale të shprehin veten lirshëm pa paragjykimet me të cilat përballen zakonisht, raporton Ekonomia Online.
“Në bashkëpunim me muzen e Kosovës sot po rihapim ekspozitën “Ngjyrat e shpirtit”, në të cilën janë të ekspozuara punime arti të cilat janë të realizuara nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin”, tha Kelmendi.
Rihapjen e kësaj ekspozite ajo tha se e kanë bërë pas interesimit të madh të njerëzve.
“Ekspozita është hapur për një ditë në fillim të nëntorit, por në saje të interesimit që ka zgjuar kemi dashur që ta vazhdojmë atë dhe prandaj në bashkëpunim me muzeun e kemi rihapur sot për të qëndruar e hapur deri më 18 dhjetor”, tha ajo.
Kelmendi tha se të hollat e kësaj ekspozite do të dhurohen për të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Të gjitha punimet janë në shitje dhe të ardhurat do të shkojnë për të mbijetuarat e dhunës seksuale. E veçanta e kësaj rihapje përveç pasurimit të koleksionit me vepra të reja është fakti që është ekspozuar në muzeun e Kosovës. Kjo ekspozitë shfaq objektivin e ngjarjes së vitit 98 99. Pasi këto ngjarje rrallë -herë përmendën. Mendojmë qe vizitorët që do vijnë gjatë kësaj jave do të mund të reflektojnë për ngjarjet e vitit 98-99”, tha Kelmendi.