Është hapur Kuzhina Qendrore për përgatitjen e ushqimit të institucioneve parashkollore në komunën e Prishtinës.
Mbi 3 mijë fëmijë të çerdheve publike në Prishtinë do të kenë mundësinë që nga shtatori i këtij viti të ushqehen nga Kuzhina Qendrore, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e kësaj kuzhine do të jenë rreth 50 punëtore që do t’u shërbejnë institucioneve parashkollore të kryeqytetit.
I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka treguar që kjo kuzhinë dhe rifunksionimi i saj është i nevojshëm për çerdhet.
Ai gjithashtu ka treguar se kontratat e punëtorëve janë të rregulluara me ndihmën e inspekcionit por sipas tij është duke u munduar të gjendjet një zgjidhje bashkë me Ministrinë e Financave.
“Kemi rinovuar këtë ndërtesë, si dhe do ta furnizojmë me pajisje të reja, ashtu që ushqimi për fëmijët nëpër çerdhe të jetë sa më cilësor. Numri i çerdheve po shtohet. Tashmë kemi kërkesa edhe nga çerdhet private që të furnizohen me ushqim nga Kuzhina Qendrore. Në shtator, kjo kuzhinë do të jetë e kompletuar dhe funksionale”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se po diskutohet edhe për projekte të tjera se si do të përdoret kjo kuzhinë, qoftë edhe për program të veçantë për të varfërit në Prishtinë.
Kurse kryekuzhinierja Fatime Zogiani është shprehur e kënaqur me rihapjen e kësaj kuzhine.
Gjë për të cilën falënderoi kryetarin Ahmeti, i cili sipas saj u ka bërë zgjidhje për hapjen dhe vazhdimin e punës në Kuzhinën Qendrore.
“Që nga paslufta, kemi punuar pa ngrohje e nëpër vende të ndryshme, bodrume, e të ngjashme. Kjo qeverisje e Komunës së Prishtinës na ka përkrahur, dhe tash me e kemi objektin tonë, me kushtet më moderne. Për këtë, jemi shumë të kënaqura”, ka thënë Zogiani.
Punëtoret e kësaj kuzhine muaj më par kishin protestuar para ministrisë së Financave ku dhe kanë kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Financave, kthimin e statusit të punëtorit.
Hapja e kësaj kuzhine është bërë brenda kompleksit të çerdhes “Gëzimi Ynë” në Ulpianë.
Në Kuzhinën Qendrore janë mbi 50 punëtorë, të cilët kujdesen për gatimin dhe shpërndarjen e ushqimit.