Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj Milorad Gjokoviqit për krime lufte

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 13:38 | Nga Gzim Mujaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin penal ndaj Milorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, raporton Ekonomia Online.

Vendimi për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor është marrë pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk është gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte deklaruar se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.

Kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala-Abdyli, tha se gjykata ka vlerësuar se ende nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove.

Nurije Krasniqi kishte bërë të ditur gjatë dëshmisë së saj se pas luftës kishte dhënë deklaratë për rastin në polici, mirëpo nuk kishte mundur ta kujtonte datën e saktë kur e kishte dhënë atë.

“Është e nevojshme që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës, andaj më datë 27 korrik 2026 marr aktvendim, shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale i përfunduar datë 21 korrik 2026 hapet sërish. Data e shqyrtimit gjyqësor të rihapur do të caktohet në koordinim me palët”.

“Nurije Krasniqi ka deklaruar se për rastin ka deklaruar edhe më parë në polici menjëherë pas luftës. Pavarësisht që nuk i është kujtuar data e dhënies së dëshmisë. Duke vepruar në bazë të mbrojtjes së të akuzuarve, gjykata ishte e drejtuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për të kërkuar deklaratën e dëshmitares Nurije. Në përgjigje të kësaj kërkese, instituti kishte njoftuar se nuk e posedon një deklaratë të tillë. Trupi gjykues me rastin e analizimit të lëndës ka vlerësuar se, me qëllim të sqarimit të plotë, është e nevojshme rihapja e shqyrtimit gjyqësor. Kjo për faktin se dëshmitarja ka deklaruar nën betim se pas luftës kishte dhënë deklaratë për rastin para organeve policore. Në këto rrethana, gjykata çmon se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Është e nevojshme që të kërkohet ekzistimi i saj pranë stacionit policor në Pejë dhe, sipas nevojës, edhe pranë institucioneve ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë pas luftës, si UNMIK dhe EULEX, në mënyrë që vendimi përfundimtar të mbështetet në një administrim sa më të plotë të provave. Nëse gjykata nuk e siguron këtë dëshmi dhe varësisht nga gjetjet, dëshmitarja Nurije Krasniqi mund të ftohet të dëgjohet përsëri në gjykatë”, tha Shala-Abdyli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij regjioni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.

Gjokoviqi akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të popullsisë civile shqiptare.

Në aktakuzën e përpiluar më 23 qershor 2023 thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës regjionale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake, ndërsa nga ana perëndimore e fshatit, në drejtim të fshatit Vitomiricë, kishin hyrë grupe paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.

Sipas aktakuzës, këto forca kishin filluar të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Po ashtu, tre civilë të plagosur nga të shtënat, A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, ndërsa më pas, sipas aktakuzës, ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.

Të ngjashme