Instituti Riinvest ka prezantuar të gjeturat nga hulumtimi “Sa është e hapur Qeveria e Kosovës? Rezultatet nga matësi i qeverisjes së hapur”.
Në këtë hulumtim janë përfshirë 28 monitorime të webfaqeve të institucione të nivelit qendror, përfshirë këtu 19 ministri, zyrën e kryeministrit dhe 8 parti politike.
Dita Dobranja, hulumtuese në Institutin Riinvest, shpalosi qëllimin e raportit në kuadër të projektit “Avokimi për Qeverisje të Hapur”, qëllim ky i cili është vlerësimi i transparencës pro-aktive në nivelin qendror.
Kurse Antigona Uka, e cila prezantoi gjetjet e hulumtimit, tha se të gjeturat paraqesin kornizën ligjore dhe atë praktike brenda institucioneve publike.
Ajo tha se 72 për qind e ministrive, sa i përket qasjes në dokumentet që planifikojnë buxhetin vjetor, vazhdojnë të jenë jo të qasshme, ndërsa sa i përket të dhënave për prokurimin publik, gjendja është më e mirë.
Tutje, Uka shtoi se sa i përket tri shtyllave kyç që nxisin qeverisjen e hapur, të cilat janë: 1. transparenca, 2. pjesëmarrja dhe angazhimi, 3. kontrolli dhe mbikëqyrja, korniza ligjore paraqitet mjaft mirë e vendosur.
Ajo përmendi se sipas institutit “Right to Information Rating (RTI)”, institut ky i cili bën matjen e performancës ligjore të shteteve, radhit Kosovën si të 21-tën, nga 111 shtete. “Edhe pse korniza ligjore është mjaft mirë e vendosur, në praktikë lë shumë për të dëshiruar”.
Në mënyrë që të përputhen korniza ligjore me implementim praktik, Riinvest rekomandon që secila ministri duhet të publikojë informatat buxhetore, operative, të prokurimit publik, dhe informata organizative në media të qasshme për publikun, si psh. web-faqe institucionale.
Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur me të pranishëm. Ky publikim është rezultat i projektit Avokimi për Qeverisje të Hapur, i cili po zbatohet në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë, dhe financohet nga Bashkimi Evropian.