Instituti Riinvest ka prezantuar platformën elektronike të shpërndarjes së të dhënave dhe aplikacionit për mobil. Kjo platformë përmban të dhëna të mbledhura nga ekipet hulumtuese të Riinvest-it gjatë 13 vjetëve.
Të dhënat përmbajnë 72 indikatorë që mbulojnë fusha të ndërlidhura me zhvillimin e sektorit privat sikurse: karakteristikat dhe përformanca e ndërmarrjeve, investimet kapitale dhe praktikat biznesore si dhe barrierat e të bërit biznes.
Endrit Pllashniku, hulumtues nga Insituti Riinvest tha se ky hulumtim ka ardhur pas anketave me Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
“Nëse dëshirojmë të shohim se si janë zhvilluar shitjet e ndërmarrjeve krahas zhvillimit të rritjes ekonomike në Kosovë atëherë në boshtin x e vendosim vitin, kurse në boshtin y vendosim shitjet duke klikuar tek shitjet dhe pastaj duke klikuar në shigjetën tek indikatori y”.
Ky institut po ashtu ka lansuar edhe Aplikacionin Mobil të Riinvestit, në dispozicion në sistemet operuese iOS dhe Android.
Ky aplikacion iu mundëson përdoruesve të kenë qasje më të lehtë dhe më të përshtatshme në të gjithë përmbajtjen e publikuar të Riinvest-it, duke përfshirë lajmet, publikimet, video-materialet, dhe materiale të tjera të publikuara nga instituti.
Ndërkohë, Kalkulatori i Riinvest është njëri prej pjesëve kryesore të aplikacionit, kalkulator ky i cili përmban 9 kalkulatorë të ndryshëm që mundësojnë përdoruesve të llogarisin shpenzime të ndryshme ditore, si dhe kalkulatorin e këmbimit valutor.
Drita Dobranja hulumtuese nga Insituti Riinvest e cila prezantoi këtë aplikacion tha se kalkulatori i parë kalkulon të ardhurat, investimet dhe të ardhurat e secilit person.
“Momentalisht i kemi 9 kalkulatorë, mirëpo si vlen për platformën e njëjta vlen edhe për aplikacionin. Nëse keni ndonjë ide që më shtu kalkulatorë të rinj , neve do na keni këtu dhe do të jemi të qasshëm edhe përmes emailit dhe telefonit”.
Këto të dhëna janë mbledhur duke përdorur metodologjitë më të avancuara të anketimit për studime socio-ekonomike.