Rikthehet në punë kryeshefi i KRU “Gjakova”, që ishte arrestuar në Bullgari nën dyshimet për trafikim me njerëz

Prishtinë | 08 Pri 2024 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Është rikthyer në punë kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, që ishte arrestuar në Bullgari nën dyshimet për trafikim me njerëz.

Bordi i Drejtorëve i KRU ”Gjakova”, njofton se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 06.04.2024, mori vendim për shfuqizimin e Vendimit nr,975 dt.04.03.2024, mbi pezullimin e marrëdhënies së punës për Hasan Krasniqin, Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Gjakova”.

“Hasan Krasniqi i sistemuar në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Gjakova” SH.A-Gjakovë, është i obliguar që të paraqitet në punë nga dt.08.04.2024. Me aprovimin e këtij vendimi nga Bordi i Drejtorëve Hasan Krasniqi sot ka filluar punën e rregullt si Kryeshef Ekzekutiv pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” SH.A. Stafi i Ujësjellësit i uron mire se ardhje Kryeshefit suksese dhe mbarësi në punë!”, thuhet në njoftim.

Krasniqi ishte arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Arrestimi i Krasniqit kishte ndodhur qysh me 19 shkurt 2024. Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Në vend pati reagime të shumta për arrestimin e tij dhe lidhjet me pushtetin.

Të ngjashme