Entuziazmi për përfundimin e palestrës “Mizahir Isma” po vazhdon të mbajë të mbërthyer Rahovecin dhe sportdashësit në këtë qytet.
Në më pak se dy muaj që prej përurimit të palestrës, në këtë qytet janë riaktivizuar e themeluar disa ekipe, sidomos të sporteve kolektive, për të cilat palestra është domosdoshmëri.
Dhe ato nga stinori i ardhshëm do të paraqiten në garat e federatave përkatëse, shkruan sot Koha Ditore.
Së fundi është themeluar edhe ekipi i futsallit “FC Rahoveci 2019”, kurse para tij edhe ekipi i femrave të basketbollit “KB Rahoveci”, që është në kuadër të skuadrës së meshkujve që garon në Superligën e Kosovës.
Ndërkohë është riaktivizuar ekipi i hendbollit KH Rahoveci, i cili përbëhet prej dy gjeneratave të reja, si dhe ekipeve të para të meshkujve e të femrave. Shpejt pritet që Rahoveci ta ketë edhe ekipin e volejbollit në të dy konkurrencat, pasi tashmë ka nisur të punohet në këtë drejtim.