Institucionet gjegjëse kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë, qoftë në aspektin ligjor, strukturor, organizativ dhe financiar, megjithatë ekzistojnë ende shumë mangësi në financim dhe koordinim brenda dhe ndër-institucional.
Kështu u theksua në konferencën e organizuar nga organizata Make A Difference (M.A.D) me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES) u mbajt konferenca “Rinia në udhëkryq, cila është rruga?!”. Në këtë ngjarje u prezantuan edhe të gjeturat e hulumtimit me të njëjtin titull.
Nga panelistët, përfaqësues nga FES, MKRS, Komunat, Qendrat Rinore dhe akter tjerë që angazhohen në sektorin e rinisë u theksua se kjo çështje pavarësisht se është trajtuar me Ligjin për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë, MKRS, komunat dhe ministritë e linjës ende nuk kanë arritur të adresojnë problemet me të cilat përballën të rinjtë nisur nga aktivitetet dhe programet rinore, e për të vazhduar deri tek ato më komplekse siç janë: punësimi, edukimi dhe promovimi.
Nga konferenca dhe hulumtimi kanë dalë pesë konstatime kryesore të cilat janë pengesë për fuqizimin e rinisë:
E para, ka të bëjë me atë se edukimi dhe punësimi mbesin brengat kryesore të të rinjëve dhe si të tilla janë një mbivendosje në raport me aktivitetet tjera rinore.
E dyta, ndërlidhet me një plan të integruar të përbashkët nacional në mes komunave, MKRS, ministrive dhe sektorëve tjerë që prekin drejtpërsëdrejti rininë;
E treta, ka të bëjë me një hartë të qartë të ndër-veprimit të mekanizmave institucional, organizatave vendore dhe ndërkombëtare në arritjen e objektivave të planit nacional dhe planeve operacionale;
E katërta, ndërlidhet me rritjen e gamës së Ligjit për Rini nga 15-24, në 15-30 duke propozuar, programe specifike edhe për grupet e margjinalizuara dhe familjet e reja;
E pesta, Institucionet qendrore/lokale duhet të shtojnë përpjekjet për shtrirjen e aktiviteteve dhe shërbimeve rinore në zonat rurale (fshatra), duke parë mundësitë dhe në investime kapitale.
Ndër të tjera në konferencës u theksua se përfaqësuesit e zgjedhur (kryetari dhe këshilltarët komunalë) me theks asamblistët e rinj duhet të angazhohen në përkrahjen e politikave dhe aktiviteteve rinore. E fokus i veçantë nga institucionet qendrore/lokale duhet të jetë ndërtimi i skemave kohezive të përfshirjes së personave me nevoja të veçanta në programet dhe politikat rinore.
Ndërkaq, debatet publike komunat duhet t’i kalojnë përtej kornizave ligjore të debateve obligative të përgjithshme në debate të fokusuara, duke i përfshirë të rinjtë që nga dizajnimi e deri tek monitorimi i tyre, në mënyrë që të rritet besueshmëria e ulët e të rinjve në këto institucione.
Krejt në fund u theksua se Fondacioni FES së bashku me aktorët tjerë do të angazhohen specifikisht në adresimin e të gjeturave me theks shtytjen e zbatimit të nenit 6 të Ligjit për Fuqizimin e Rinisë, që ka rol kyç në angazhimin e koordinuar ndër-institucionale në fushën e rinisë.