Rita Ora dhe Bob Geldof janë bërë bashkë për ta dizajnuar emblemën e Coronavorusit

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Ylli i njohur i muzikës, Rita Ora është bërë bashkë me Sir Bob Geldof, për ta krijuar një emblemë e cila ka për qëllim ta vetëdijesojë publikun e gjerë rreth pandemisë së Coronavirusit.

Këngëtarja 29-vjeçare me prejardhje kosovare, ka vendosur të bashkëpunojë me muzikantin dhe aktivistin e famshëm në dizajnimin e një simboli për fondacionin e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore për Shëndetësi, “Solidarity Response Fund”, e cila ka për qëllim t’i ndihmojë personat në nevojë në këto kohë të përhapjes së COVID-19.

“Gjatë muajve të fundit ne kemi parë që ky virus po përhapet në të gjithë botën, duke mos kuptuar mjaft ndikimin e tij. Unë mendoj se deri tani të gjithë e kuptojmë se koronavirusi është diçka që ka dhe do të vazhdojë të ketë efekte shkatërruese për të gjithë. Unë lutem për të gjithë ata që i kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e kësaj sëmundjeje, ata që po luftojnë me të, ata që janë të frikësuar dhe ndihen të vetmuar, si dhe gjithë personat që me shumë guxim po i ndihmojnë të prekurit me koronavirus dhe po luftojnë në zvogëlimin e efekteve të kësaj pandemie globale,” ka deklaruar Ora për të përditshmen “Daily Mail”.

Ylli i hitit “Girls” po ashtu tregoi se ishte ideja e Bob Geldofit për ta krijuar emblemën e cila e përfshinë një mikrob Brenda simbolit të paqes, me qëllim që të na e kujtojë të gjithëve se duhet ta luftojmë këtë virus së bashku, transmeton Koha.

Artikujt e kësaj linje të krijuar nga dyshja, Ora dhe Geldof, përfshijnë kapele, afishe dhe bluza, me çmime të ndryshme që variojnë nga tetë deri në 50 dollarë.


Të ngjashme