Verën e kaluar Antoine Griezmann zgjodhi të qëndrojë në Atletico Madrid e të mos transferohet në Barcelonë. Ish-mesfushori i katalonasve, Rivaldo, e kupton pse ylli francez e mori një vendim të tillë.
Braziliani Rivaldo është i vetëdijshëm që të luash përkrah një superylli si Lionel Messi nuk është gjëja më ideale për lojtarët e nivelit më të lartë të futbollit.
“Nuk jam i zhgënjyer që Griezmann nuk u transferua në Barcelonë pasi që çdo futbollist i sheh gjërat në mënyrën e vet”, është shprehur Rivaldo.
“Ka shumë lojtarë të mrekullueshëm në Barcelonë dhe është e vështirë të qëndrosh nën hijen e Messit. Griezmanni është një kampion bote që më pëlqen shumë si futbollist”.
Messi tani e ka kaluar shifrën prej 40 golave të shënuar për të dhjetin sezon radhazi, duke i shënuar 32 gola në La Liga, tetë në Ligën e Kampionëve dhe dy në Kupën e Mbretit.
Ai është në rrugë për ta fituar Këpucën e Artë Evropiane për të tretin sezon radhazi dhe të gjashtin gjithsej në karrierë.
Kapiteni argjentinas i ka shënuar nëntë gola në pesë paraqitjet e tij të fundit, ecuria e tij më e mirë deri më tani. Tri prej këtyre golave erdhën nga goditje e lira.