Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë nuk mund të veprojnë jashtë interpretimit të Zyrës Ligjore, lidhur më kërkesën e bordit të “Kosova Thëngjillit” për lirimin e taksës nga ana e KEK-ut, raporton Ekonomia Online.
Ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë këtë çështje e kanë trajtuar me KEK-un, duke shtuar se ndërhyrja në kontrata do të ishte e kundërligjshme.
“Ndërhyrja në kontrata do të ishte e kundërligjshme. Ne jemi të interesuar që përmes njësisë përmes Bordeve të kontaktojmë me ndërmarrjet. Ne jemi në një situatë ku e kemi interpretimin e zyrës ligjore, që lirohen nga pagesa për këtë periudhë, dhe e ndava me ju mendimin e zyrës ligjore dhe ne presim qartësi nga ju që të dalin rekomandime nga komisioni që përmes Bordit të komunikojmë me KEK-un. Ne nuk do të marrim vendime kundër opinionit të ekspertëve ligjor brenda ministrisë”, tha Rizvanolli.
Jusuf Mehmeti Drejtor Menaxhues i ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli” tha se po kërkojnë lirimin e taksës nga KEK, pasi qe sipas tij, janë të dëmtuar shumë derisa tha se punëtorëve po e kanë të vështirë t’ua sigurojnë pagat.
Ai po kërkon lirimin e rentave minerale nga KEK-u sipas ashtu siç e parasheh Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ndërmarrja “Kosova Thëngjilli” ka marr rreth 58 mijë euro subvencion nga qeveria e vendit si ndihmë për përballjen me pandeminë.
“Ne jemi të përgatitur me të gjitha dokumentet që i kemi, kërkesa jonë ka qenë lirimi nga kjo taksë nga ana e KEK-ut. Kërkesa jonë është që ta marrim një përgjigje nga ju se a kemi të drejtë lirohemi nga kjo taksë për rimëkëmbjen e ndërmarrjes dhe 95% të punëtorëve e shtyjmë me fuqi tona, me paga dhe obligime”.
Kryesuesi i komisionit, Ferat Shala ka pyetur përfaqësuesit se a janë subvencionuar nga Qeveria, derisa ka kërkuar edhe reagimin e menjëhershëm të ministrisë se Ekonomisë.
Ndërsa, Mehmeti ka thënë se kanë marrë rreth 58 mijë euro subvencion nga qeveria e vendit si ndihmë për përballjen me pandeminë.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se kompetencën për këtë e ka vetëm qeveria e vendit
“Qeveria shumë lehtë dhe thjeshtë ushtron të drejtën nacionale që të zgjidhet kjo çështje. Unë pajtohem që kjo s’ka logjikë ekonomike sepse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është për të gjitha ndërmarrjet. Ne mund të bëjmë rekomandime por kjo është kompetencë e Qeverisë së Kosovës”, tha ajo.
Edhe Uran Ismaili ka thënë se kjo çështje është kompetencë e Qeverisë dhe se komisioni s’mund të bëjë ndonjë gjë.
“Nuk pe kuptoj pse është dashtë me ardhur kjo është punë e ekzekutivit dhe nuk shoh mundësi që ne mund të ndihmojmë përpos me ngrit zërin se ka shkelje ligjore”, tha ai.