Profesori dhe bibliotekisti i njohur nga Indiana University Bloomington, prof. dr. Robert Montoya, po qëndron në UBT, me ç’rast është duke mbajtur trajnim në formë punëtorie për stafin e UBT-së, me qëllim të zhvillimit profesional të bibliotekistëve.
Trajnimi u fokusua në krijimin e një plani për zhvillimin dhe trajnimin e bibliotekistëve në nivel të institucionit dhe për krijimin e një planprogrami për trajnimin e bibliotekistëve të rinj.
Montoya tha se puna e bibliotekistëve sado e thjeshtë që mund të duket, kërkon shumë angazhim dhe përvojë, mbi të gjitha kur në pyetje janë bibliotekat online, të cilat tashmë janë aktuale në secilin institucion.
“Unë kam përvojë në këtë fushë dhe të njëjtën po mundohem ta ndajë nëpër institucione të tjera, sidomos në kohën e sotme të digjitalizimit, që tashmë e ka lehtësuar procesin e marrjes së informacioneve dhe njohurive”, theksoi ai.
Në trajnim u trajtuan edhe tema aktuale që lidhen ngushtë me zhvillimin e strategjive të mirëfillta të Bibliotekave Universitare dhe elemente të tjera që lidhen me fushën e digjitalizimit të bibliotekave.