Belgjika mund t’i nënshtrohet një rinovimi në përballjen me Anglinë. Është ky vendimi i marrë nga tekniku spanjoll i kombëtares belge, Roberto Martinez që në konferencën për shtyp përpara duelit me “Tre Luanët” ka thënë se do ta shqyrtojë ndryshimin e të gjithë formacionit të tij fillestar për sfidën e së enjtes.
“Mund të jetë një opsion. Nëse do të flisja për çdo lojtar, mendoj se secili prej tyre meriton të luajë në Kupën e Botës. Pra, është më e rëndësishme që unë të jem në gjendje t’i jap këtë mundësi dhe të shoh se si ata mund të reagojnë në fushë dhe sa mund të kontribuojnë. Askush nuk ka një vend të garantuar në këtë ekip në këtë moment, kështu që ne po e shohim këtë alternativë kështu që mund të jetë një mundësi.”-pohoi Martinez.
Në dyshim për këtë përballje është golashënuesi më i mirë i turneut, Romelu Lukaku që po vuan nga një dëmtimi i ligamenteve. Sfida mes Anglisë dhe Belgjikës do të vendos dhe fituesin e Grupit G të Kupës së Botës.