Roli i burrave në luftën kundër diskriminimit të grave dhe vajzave

Prishtinë | 27 Nën 2017 | 12:47 | Nga

Barazia gjinore është njëra nga vlerat thelbësore e një shoqërie demokratike, ku ka të bëjë me arritjen e të drejtave të barabarta, përgjegjësive, mundësive…, duke mos u diskriminuar asnjë njeri për shkak të gjinisë së tij/saj. Arritja e saj shpesh po inicohet nga vetë vajzat/gratë duke punuar ekskluzivisht me to dhe duke mos i dhënë fokus edhe punës me djem/burra. Në fakt, barazia gjinore nuk  arrihet vetëm me punën e grave/vajzave por mund të arrihet vetëm atëherë kur përfshihemi në tërësi si shoqëri.

Mbi të gjitha, akti më i lartë i shtetit së paku në aspektin teorik, garanton barazi mes grave dhe burrave që të zhvillojnë politika për mundësi të barabarta. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton bazën ligjore për futjen dhe rregullimin e parimeve të barazisë gjinore në Kosovë. Gjithashtu, ajo parashtron parimin e ndalimit të diskriminimit, duke përfshirë ndër të tjera diskriminimin në baza gjinore.

Shqiptar Oseku, shkrimtar si dhe aktivist, mendon që patriarkati shqiptar është në radhë të parë përgjegjësi e burrave shqiptarë dhe se ata duhet të marrin iniciativën në luftën kundër tij.

“Ne jemi shkaktarët e dhunës, ne jemi ata që vrasim gratë, ne jemi problemi, dhe neve na përket të gjejmë zgjidhjen. Ne të gjithë jemi prodhim i një brezi burrash që, në rastin më të mirë, ka folur për emancipim të grave, ndërsa problemi ka qenë në fakt se ka munguar emancipimi i burrave”, tregon ai duke shtuar se brezi ynë duhet të ndërrojë fokus dhe të flasë për këtë problem, duke e kthyer në temë e parë: emancipimin e burrave shqiptarë.

Fitore Shala sociologe, thotë se roli i djemve/burrave si nga aspekti shoqëror po edhe nga ai individual, ka një rëndësi të madhe kundër diskrminimit të vajzave/grave dhe se pa një përfshirje më të madhe të burrave dhe djemve në këtë luftë, situata e tanishme nuk do të ndryshoj.

“Nëse deshirojmë të shohim situatën tani, shumë aktivitete dhe tryeza janë organizuar për të aftësuar gra/vajza për luftën kundrejt diskriminimit por shumë pak ka qasje nga burrat”, shton ajo.

Në mënyrë që e gjithë shoqëria të përfitoj dhe të hiqet mentaliteti se  “burrat gjithnjë janë ata që japin urdhra, e kanë fjalën e fundit në familje, kurse gratë të heshtin e merren me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve”, edhe në vendin tonë ka djem/burra që luajnë rol aktiv në arritjen e barazisë. Ata bëhen model për shoqërinë duke tejkaluar sjelljet negative tradicionale të cilat e bëjnë diskriminimin gjinor si njërin nga problemet kyçe në vend.

“Klubi Bonu Burrë” (KBB), projekt rajonal për barazi gjinore që realizohet në Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, së fundmi edhe në Shqipëri, te ne që nga viti 2010 implementohet nga organizata joqeveritare Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë/Peer Educators Network (PEN).

Ky projekt i kundërvihet stereotipit shoqëror për burrat duke punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me, siç e quajnë ata, “vetë problemin” – djemtë dhe burrat dhe sensibilizojnë ata të kontribuojnë dhe mbështesin barazinë gjinore.

Në një hulumtim të bërë nga Iniciativa e Burrave të Rinj në katër vende të Ballkanit: Bosnjë, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe në Kosovë, kishte treguar se normat e ngurta gjinore të maskulinitetit dhe feminitetit ishin “faktorë largues”. Angazhimi i tyre në transformimin e normave gjinore është shumë i efektshëm dhe se dekonstruktuimi i identiteteve mashkullore sjellë deri te ajo që djemtë mund të bëhen aleatë dhe aktivistë të antidhunës.

Target-grupet e projektit janë të rinjtë e shkollave të mesme dhe fakulteteve. Meqë mbi qëndrimet dhe sjelljet e të rinjve dhe të rejave ka ndikim të madh edhe rrethi, programet e KBB-së përqendrohen edhe te më të moshuarit. Në kuadër të programit “P” – baballarët, profesorët, profesionistët shëndetësorë… familjarizohen me rolin që si burrat mund ta kenë në atësi dhe përkujdesje aktive gjatë shtatzënisë, lindjen dhe rritjen e fëmijëve.

Me synim të një influencimi më të fuqishëm e gjithëpërfshirës,  target më vete janë edhe gazetarët me potencialin e tyre të ndryshimit.

“Arsyeja që e kemi bërë programin për gazetarë është se në shumicën e rasteve mediat janë ato që bëjnë diskriminimin më të madh gjinor, ndoshta pa qëllim por për atraktivitet dhe për më shumë klikime. Për këtë shkak e kemi parë të arsyeshëm këtë program”, thotë Korab Jaha, koordinator i projektit “Iniciativa e Burrave të Rinj” në kuadër të të cilit funksionon Klubi Bonu Burrë.

Nisur nga fakti se në shkollat teknike ka më shumë djem, fokusi ishte tek ata që janë parë si “aleatët më të mirë në luftimin e stereotipeve gjinore”. KBB ka mbajtur trajnime edhe në shkolla që ndodhen në zona më të thella rurale, ku kanë hasur me shumë të rinj që nuk kanë ditur dallimin mes seksit dhe gjinisë, nuk kanë njohur as trupin e tyre dhe kanë shfaqur paragjykime rreth kampanjës, por me kohë është vërejtur ndryshimi dhe tani shumica prej tyre janë pro barazisë gjinore.

Jaha tregon se shpesh kontaktohen nga familjarët e anëtarëve, të cilët vërejnë ndryshimin te djemtë e tyre, që kanë hequr dukuritë negative, pirjen e duhanit, kanë filluar të gatuajnë, të pastrojnë… Anëtarët po ashtu apelojnë që të kuptohet se punët e shtëpisë nuk janë të ndara në aspektin gjinor, por janë të të gjithëve.

Njëri prej anëtarëve të KBB-së, Bledor Kalleci, thotë se vërehet ndikimi i klubit te shumica e djemve, të cilët fitojnë shprehi të reja, ndryshojnë sjelljen dhe vazhdojnë të promovojnë barazi gjinore.

“Ndryshimi fillon prej vetes, më pas është shumë e lehtë të influencosh te të tjerët”, thotë Kalleci, i cili thotë që hasim në paragjykime të ndryshme.

KBB inkurajon të rinjtë të jenë vetvetja, të ndihen ashtu siç duan dhe të zgjedhin atë çfarë duan.

“Klubi ynë ka influencë shumë të madhe te të rinjtë dhe të rejat, gjithmonë në aspektin pozitiv pasi që me punëtori ku përbëhen tema të ndryshme, arrijmë t’i prekim pikat që ne duam”, thotë ai.

Trajnime të ngjashme në kuadër të fushatës janë organizuar edhe me vajza. Pas projektit “M” (Men), nga muaji tetor ka filluar projekti“Y” (Youth), i cili është në përfitim të të dy gjinive.

Trajnimet i kemi të njëjta për të dy grupet, përpos temave të ndjeshme. Kemi pasur raste kur njëra ndër to na ka falënderuar sepse tanimë ka filluar të punojë, të jetë e pavarur financiarisht nga burri dhe ka vërejtur që shumicën e gjërave i ka pasur gabim. Dhe gjithnjë na thotë mos u ndalni duke i promovuar të drejtat e grave dhe vajzave”, tregon Jaha.

Ai konsideron se krahas gjithë sfidave që hasin dhe punës që bëjnë për barazi gjinore, kjo nuk është asnjëherë e mjaftueshme shkaku i mentalitetit për pranimin e ndryshimeve në rreth.

Ndërkohë sociologia Shala, thotë se gjendja në vendin tonë mund të ndryshohet nëse punojmë më shumë me gratë dhe burrat nëpër zona rurale dhe komuna më të vogla.

“Po ashtu, për të ndryshuar mentalitetin për barazinë gjinore duhet që sociologu dhe psikologu të jenë pjesë e shkollave fillore, sepse që nga fëmijëria krijohet mendimi te individi për atë se si i kupton gjërat dhe se si funksionon shoqëria”, tregon ajo.

Edhe Shala konsideron se në shumë raste janë burrat ata që bëjnë diskriminim ndaj grave, e ka raste kur as ata vet nuk e dinë se janë duke diskriminuar. Ka ardhur koha që idetë patriarkaliste dhe stereotipet gjinore mos të ekzistojnë, andaj ajo bën thirrje që në luftën kundër diskrminimit në çdo fushë të shoqërisë, të përfshihen të dy gjinitë dhe roli i tyre të jetë i barabartë në këtë luftë. /barazia.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme