Italia “ngjyroset” me të kuqe dhe portokalli, që nënkupton hyrjen në fuqi të kufizimeve më strikte për të luftuar pandeminë koronavirus. Nga kjo e hënë e deri pas festës së Pashkëve është limituar qarkullimi i qytetarëve, baret dhe restorantet janë mbyllur dhe operojnë vetëm me shërbimin me dërgesa, ndërsa hapur mbesin supermarketet, furrat e bukës, farmacitë, stacionet e karburantit dhe disa aktivitete të tjera biznesi.
Ashpërsimi i masave futi në izolim total kryeqytetin financiar italian, teksa rajoni i Lombardisë, ku bën pjesë Milano, u konsiderua zonë e kuqe për shkak të përhapjes së lartë të Covid-19.
“Duket sikur nuk do mbarojë kurrë, ka kaluar një vit dhe asgjë s’ka ndryshuar. Vaksinat po vijnë ngadalë dhe kjo më depresionon. Nuk kemi asnjë motivim. Kishim më shumë shpresë një vit më parë, por tani po shuhet”, shprehet Liza Ioan, banore në Milano.
E njëjta situatë edhe në rajonin Lazio, ku bën pjesë dhe kryeqyteti i Romës. Rrugët kryesore dhe atraksionet turistike ranë në qetësi, ndërsa në fuqi hyri një izolim total, masë e cila u mirëkuptua nga kryeqytetasit.
“Mirëkuptoj izolimin e ri pasi mendoj se është gjëja më e duhur për t’u bërë. Madje mendoj se duhej bërë më përpara”, thekson Annarita Santini, banore e Romës.
Shkollat janë mbyllur në të gjitha rajonet e konsideruara zona të kuqe, ndërsa në ato portokalli, mësimi zhvillohet me alternime. Sardenja përjashtohet nga të gjitha kufizimet e reja pasi konsiderohet zonë e bardhë. Në atë rajon, lejohen zhvendosjet e qytetarëve dhe mbesin hapur të gjitha dyqanet, baret dhe restorantet deri në orën 23:30 kur nis ora e karantinës deri në 5 të mëngjesit.