Skuadrat nga Serie A, Roma dhe Lazio kanë shprehur interesim për mesfushorin e Dinamo Zagrebit, shqiptarin Arijan Ademi, kanë njoftuar mediumet kroate.
Bëhet e ditur se për shërbimet e Ademit të dy ekipet italiane janë të gatshme të paguajnë dëmshpërblim deri në shtatë milionë euro.
Nëse Dinamo pranon ndonjërën prej ofertave, atëherë Ademi do të largohet nga ekipi kroat gjatë këtij muaji.
Te Roma, Ademi shihet si zëvendësim për të lënduarin Daniele De Rossi, kurse te Lazio e shohin si përforcim të duhur për mesfushën që po ka telashe.
27-vjeçari këtë edicion ka shënuar tre gola dhe ka asistuar një herë në 21 paraqitje për Dinamon, me të cilin ekip ka kontratë deri në verën e vitit 2023.
Te Dinamo është transferuar në vitin 2010 nga Shibeniku, kurse për një periudhë të shkurtër ka qenë i huazuar edhe te Lokomotiva. Ademi ka tri paraqitje me Kroacinë, kurse prej vitit 2014 është reprezentues i Maqedonisë.