Kthimi i Claudio Ranierit te skuadra e Romës mund të bëhet i hidhur, pasi trajneri veteran po përballet me një numër problemesh para ndeshjes me Napolin, që zhvillohet të dielën (15:00) në kuadër të xhiros së 29-të të Serie A.
Ranieri, i cili mori drejtimin e Romës një javë pasi u shkarkua nga Fulhami ku kreu detyren e trajnerit për tre muaj, duket se do të ketë telashe në Serie A, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, gjë që solli shkarkimin e trajnerit Eusebio di Francesco, Ranieri duhet të sigurojë të paktën pozitën e katërt për Romën në fund të këtij edicioni, në mënyrë që ekipi edhe vitin tjetër të jetë pjesë e kësaj gare elitare.
Roma është e pesta me 47 pikë, katër më pak se Milani që renditet i katërti në tabelë pas 28 ndeshjeve të zhvilluara. Napoli është i dyti me 60 pikë, 15 më pak se Juventusi që është lider dhe të shtunën (sot) prej orës 18:00 e pret Empolin.
Ranieri që ka lindur në Romë, për herë të dytë në karrierë është trajner i këtij ekipi, tek i cili ka luajtur si lojtar. Ai ka trashëguar nga paraardhësi i tij një skuadër të goditur nga lëndimet e shumta të futbollistëve.
Në ndeshjen e parë në krye të Romës, Ranieri mposhti Empolin përpara se të pësoi nga SPAL-i (2:1). Tekniku italian pret që Roma të kthehet fuqishëm pas humbjes së fundit, ndonëse pranon se do të jetë shumë vështirë.
“Kemi probleme të shumta me lëndimet, por jemi të vendosur për ta fituar këtë ndeshje, sepse synimi ynë është pozita e katërt”, është shprehur Ranieri. “Napoli është kundërshtar shumë i fortë dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë”.