Organizatorët e turneut veror të profilit të lartë për klubet më të mëdha të futbollit kanë vendosur të mbajnë Juventusin dhe Cristiano Ronaldon larg SHBA-së këtë vit, për të eliminuar rrezikun që ylli portugez të arrestohet nga autoritetet si pjesë e hetimeve të akuzave që rëndojnë ndaj tij për përdhunim.
Një numër i ndeshjeve i turneut “International Champions Cup” luhen në SHBA si zakonisht, por Juventusi do të luajë si pjesë e versionit aziatik të kësaj ngjarjeje vjetore, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
Juventusi do të luajë në Kinë dhe në Singapor dhe atje pritet t’i bashkohen ekipet e Premier Leagues, si Tottenham e Manchester United.
Ronaldo, që pesë herë ka fituar “Topin e Artë”, është në stinorin e tij të parë te Juventusi. Ai u transferua verën e kaluar nga Real Madridi. Vetëm disa muaj pas transferimit të tij, policia e Las Vegasit ka njoftuar se ka rihapur një hetim ndaj akuzave nga amerikanja, Kathryn Mayorga, që ka akuzuar Ronaldon se e ka përdhunuar në një dhomë të hotelit në Las Vegas në vitin 2009 dhe më vonë e ka paguar atë 375 mijë dollarë për të heshtur.
Ronaldo dhe avokatët e tij vazhdimisht kanë mohuar akuzën për përdhunim që doli në publik në shtator. Ronaldo e quajti “lajm i rrejshëm” në një video që e postoi në rrjete sociale dhe në një moment avokatët e tij edhe kërcënuan revistën gjermane “Der Spiegel” me padi që publikoi së pari akuzat e Mayorgas. Juventusi qëndroi prapa yllit, duke shprehur vlerësimin për profesionalizmin e madh dhe përkushtimin e portugezit. Po ashtu nga klubi u tha se akuzat e Mayorgas nuk ndryshojnë këtë mendim.