Të jesh në shoqëri me lojtarin më të mirë në botë është e veçantë. Të renditesh menjëherë pas Cristiano Ronaldos në ndonjë renditje zyrtare, është privilegj. Kur bëhet fjalë për yllin portugez, renditjet e rreshtimet janë të shumta.
Dhe një lojtar nga Kosova e ka privilegjin që të renditet menjëherë pas tij në një ranglistë që të premten e ka publikuar Konfederata Evropiane e Futbollit, UEFA. Madje nuk bëhet fjalë për lojtar të futbollit. Është Halim Selmanaj, lojtar i futsalit (futbollit të sallës) që është renditur i dyti në renditjen e atyre që kanë shënuar më së shumti gola në gara të UEFA-s gjatë vitit 2017.
Ronaldo, që të enjten mbrëma fitoi “Topin e Artë”, i prin renditjes me plot 27 gola të shënuar në gara të UEFA-s gjatë vitit 2017. Ronaldo ka shënuar 19 gola në Ligën e Kampionëve për Real Madridin dhe tetë gola të tjerë në kualifikimet evropiane për botëror për Portugalinë, transmeton Koha.