Nuk kanë fund telashet për Cristiano Ronaldon. Kur dukej se portugezi kishte gjetur përsëri qetësinë dhe kishte vendosur të qëndronte te Reali, edhe pse kishte problemet me agjencinë e tatimeve, sot ai i është nënshtruar një tjetër kontrolli, këtë radhë nga policia doganore.
Një barkë e policisë doganore i është afruar jahtit të Ronaldos në Formentera, ku po kalon pushimet bashkë me miq dhe familjarë, ndërsa tre agjentë hipën në mjetin lundrues të portugezi duke zhvilluar një inspektim të plotë të tij.
Nuk dihet ende se çfarë kërkohej në jahtin e Ronaldos, por vetë futbollisti qëndroi gjatë gjithë kohës i mbyllur brenda, duke zbritur në breg vetëm pasi policët u larguan dhe kishte mbaruar gjithçka.
Sigurisht që një lajm i tillë nuk do të kalojë pa pasoja, pasi mund të rindezë tensionin mes Ronaldos dhe shtetit spanjoll.