Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, nuk e ka ndërmend të ndërhyjë për të ndaluar Cristiano Ronaldon të marrë përsipër gjuajtjet e lira, me gjithë bilancin e tmerrshëm të yllit portugez tek ekipi italian.
Bazuar në statistika, Ronaldo prej se është transferuar te Juventusi në verën e vitit të shkuar, ka bërë 28 gjuajtje nga goditjet e dënimit dhe nuk ka shënuar asnjë gol, shkruan sot Koha Ditore.
Shtatë prej tyre i kanë pritur portierët kundërshtarë, dy kanë shkuar jashtë portës derisa 19 të tjera kanë qëlluar “murin e gjallë”. Ronaldo dy përpjekjet e fundit nga gjuajtjet e lira i pati të martën mbrëma në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lokomotivës së Moskës, por pa sukses.
Kjo ka bërë që të shpërthejnë kritikat nëpër rrjetet sociale nga tifozët, veçanërisht duke pasur parasysh se ekipi ka dy specialistë të tjerë të gjuajtjeve të lira – Miralem Pjaniqin e Paulo Dybalan.
Sarri, këtij problemi nuk i ka dhënë shumë rëndësi kur është pyetur të premten në konferencën për shtyp. “Gjuajtjet e lira? Kemi dy opsione për anën e djathtë, Pjaniqin dhe Ronaldon. Kështu që, atyre u mbetet të vendosin mes vete se kush do ta marrë përgjegjësinë. E njëjta gjë shkon edhe për anën e majtë, ku është Ronaldo dhe Dybala”, është shprehur Sarri.