Rosé debuton me sukses si solo këngëtare në toplistat “Billboard”

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e grupit të njohur “BLACKPINK”, Rosé, e ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në toplistën muzikore “Billboard”, me këngën debutuese si solo këngëtare, “On The Ground”.

Kënga së fundmi u pozicionua në vendin e 70-të të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, e cila i rendit këngët më të dëgjuara në Amerikë. Kështu, 24-vjeçarja Rosé është bërë solo këngëtarja e dytë e muzikës K-pop e renditur kaq lartë në toplistën e këngëve më të mira “Billboard”. Anëtarja e grupit “2NE1”, CL, kishte arritur të përfshihet në këtë toplistë muzikore në vitin 2016, më këngën e saj “Lifted”.

“On The Ground” gjithashtu i kryesoi dy prej toplistave globale “Billboard”, falë 170 milionë shkarkimeve online të këngës, dhe shitjes së më shumë se 50 mijë kopjeve anembanë botës. Kjo është hera e dytë që këngëtarja po e gëzon një sukses të tillë në këto toplista, pas suksesit me këngën “Lovesick Girls” të lansuar me grupin “BLACKPINK”, në tetor të vitit 2020.

Hiti “On The Ground” ka thyer rekorde edhe në platformën YouTube, duke e rrëmbyer titullin e këngës më të klikuar në 24 orët e para të lansimit, nga një solo artiste e muzikës K-pop. Ajo i morri 41.6 milionë shikime në 24 orët e para të lansimit, duke e thyer kështu rekordin e këngëtarit Psy, të arritur me hitin “Gangnam Style” në vitin 2012. Aktualisht kënga i numëron më shumë se 112 milionë klikime.

Rosé njëra nga katër anëtaret e grupit të njohur nga Korea Jugore, “BLACKPINK”, para dy jave e publikoi albumin e parë solo me titull “R”. Krahas këtij incizimi që ka marrë dy vjet për t’u finalizuar, ylli i muzikës K-pop gjithashtu i lansoi dy këngët, “On The Ground” dhe “Gone”, që të dyja në gjuhën angleze.

Rosé nuk është anëtarja e vetme e grupit “BLACKPINK” që po zhvillon karrierë si solo këngëtare. Anëtarja tjetër Jennie e kishte publikuar videoprojektin e parë si solo këngëtare në vitin 2018. Kënga titullohet “Solo”. Jisoo dhe Lisa gjithashtu pritet që së shpejti t’i publikojnë projektet e tyre si solo këngëtare.

Grupit “BLACKPINK” njihet për hite të shumta të cilat i numërojnë mbi 1 miliard klikime në YouTube, si “Kill This Love”, “DDU-DU DDU-DU”, “Boombayah”, “How You Like That”, “Lovesick Girls”, “Ice Cream”, “As If It’s Your Last” dhe të tjerë.

Të ngjashme