Me nga një mijë euro janë dënuar katër të akuzuarit A.K, E.B, D.L dhe M.L, pas pranimit të fajësisë për një përleshje që kishte ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë ku i kishin shkaktuar lëndime të dëmtuarit.
Shpalljen e këtij aktgjykimi e ka bërë të enjten gjyqtari i rastit Shaqë Curri, në seancën fillestare pas pranimit të fajësisë nga ana e katër të akuzuarve, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.
Dënimin me gjobë prej një mijë euro për secilin nga të akuzuarit gjykata iu dha afat prej 3 muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse nuk e paguajnë gjobën atëherë do t’iu zëvendësohet me ditë burgimi.
Pos kësaj, të akuzuarit u obliguan edhe për pagesat e paushallit gjyqësor e atë në vlerë prej 50 euro secili nga ta, e gjithashtu edhe pagesën për fondin e viktimave, shumën prej 30.
Pala e dëmtuar ishte udhëzuar për kontest civil.
Ndryshe, në fillim të seancës të akuzuarit A.K, E.B, D.L dhe M.L, e pranuan fajësinë ndaj akuzës që ju vihet barrë.
Të njëjtit ndihen keqardhje për rastin e ndodhur dhe i premtuan gjykatës që një gjë e tillë më nuk do të përsëritej.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të katër të akuzuarve, prokurori Arben Hoti, nuk e kundërshtoi i njëjti tha se një pranim i tillë ishte bërë me vullnet të akuzuarve dhe se gjejnë mbështetje në provat materiale të lëndës.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit A.K, avokatja Sabrije Abazi, u pajtua me pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i saj, e njëjta i kërkoi gjykatës që t’ia pranoj pranimin, po ashtu kërkoi nga gjykata ta ketë parasysh pranimin si rrethanë lehtësuese dhe lidhur me marrjen e vendimit mbi dënim mundësisht ti shqipton dënim me gjobë.
Mbrojtësi i të akuzuarit E.B, avokati Ylli Vokshi, lidhur me pranimin e fajësisë deklaroi se me të mbrojturin e tij ishte konsultuar mjaftueshëm duke i shpjeguar benefietet dhe pasojat e pranimit të fajësisë, gjykatës i propozoi që pranimin e fajësisë të trajtoj si të rregullt dhe të bazuar pasi që deklarimi i fajësisë ishte bërë me vetëdije dhe vullnet të plotë, ndërsa kërkoi nga gjykata që në rast të aprovimit të fajësisë të mbrojturin e saj të merr parasysh rrethanat plotësisht lehtësuese me dispozitat e KPRK-së.
Edhe mbrojtësja e të akuzuarit D.L, avokatja Pranvera Zhara, u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të saj, pasi që i njëjti pranimin e fajësisë e kishte bërë me vullnet të lirë dhe pa presion nga askush, e njëjta i propozoj gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit të vlerësoj rrethanat lehtësuese si kërkim faljen, pendimin si dhe rrethanën posaçërisht lehtësuese si pranimi i fajësisë dhe i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të saj ti shqiptohet dënimi me gjobë.
Pas kësaj gjykata morri vendim që t’i aprovon pranimin e fajësisë nga ana e katër të akuzuarve.
Ndryshe, sipas akuzës së Prokurorisë së Pejës, të akuzuarit A.K, E.B, D.L dhe M.L, po i ngarkon se me datën 5 janar 2020, rreth orës 18:00, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, të dëmtuarit Sh.H, i shkaktojnë lëndime të lehta trupore me pasojë dëmtim të përkohshëm të shëndetit.
Sipas akuzës, pas shkëmbimit të disa fjalëve në mes të pandehurit A dhe të dëmtuarit Sh, i njëjti shkon në drejtim të të dëmtuarit ku përdor sjellje provokuese ndaj tij, e më pas e ngacmon duke e shtyer me krah, ku fillojnë shtyrjet dhe goditjet në mes tyre ku përfshihen edhe të pandehurit e tjerë E.B, D.L dhe M.L, duke e grushtuar të dëmtuarin, ku e gjithë ngjarja ishte inxhizuar nga kamerat e dhomës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.
Për çka thuhet në akuzë se, kanë kryer vepër penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185 par.1 nën par. 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ku dënimi paraparë është me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet./BetmipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.