Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti në takim shefin e zyrës ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, ambasadorin Lubomir Batary.
Gjatë takimit që gjeneral Rama zhvilloi me ambasadorin Batery u shpreh se, FSK-ja ashtu siç është e përkushtuar për ruajtjen e vlerave të vendit tonë, po ashtu me të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim përkujdeset edhe për ruajtjen e vlerave të popujve, të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe paqen e vendit tonë. Ai tha se, FSK-ja me kënaqësi ka ndërmarrë iniciativën për riparimin e memorialit kushtuar ushtarëve të Forcave të Armatosura të Sllovakisë, të cilët patën humbur jetën në një fatkeqësi ajrore pas përfundimit të misionit në vendin tonë.
Nga ana e tij, ambasadori i Sllovakisë, Lubomir Batery, në emrin e tij personal dhe në emër të Forcave të Armatosura të Sllovakisë dhe në emër të popullit sllovak falënderoi komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën, për angazhimin dhe kujdesin e treguar në përkujtim të jetës dhe veprës së ushtarëve sllovakë.
Vlen të shtojmë se, FSK-ja ka riparuar memorialin i cili u kushtohet 42 ushtarëve sllovakë të cilët kanë humbur jetën para 11 vitesh në një fatkeqësi ajrore, gjatë kthimit të tyre në atdhe, pas përfundimit të misionit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.