Rrahmani i VV-së i përgjigjet Haxhiut për Projekt-Kodin Civil

Prishtinë | 26 Tet 2022 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar rreth projekt-kodit civil, duke thënë se ai së shpejti do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se kësaj radhe shpreson që do të kalojë projekt-kodi, duke theksuar se Qeveria Kurti II angazhohet për të drejtat e njeriut.

“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë.

E në një përgjigje për gazetën Nacionale, deputeti Eman Rrahmani theksoi se nëse përmbajtja e projekt-kodit civil është e njëjtë, atëherë edhe vota do të jetë e njëjtë.

“Përmbajtja e njëjtë, vota e njëjtë”, ishte përgjigjja e shkurtër e z.Rrahmani, i cili herën e parë kishte votuar kundër.

Në një deklarim të sotëm, zonja Haxhiu tha se nuk e di se cili prej grupit do të votojë “për”.

“Kjo bazohet në takimet që kemi pasur me grupin parlamentar. Nuk them që secili prej grupit do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrime dhe bindjet e tyre, por Qeveria dhe grupi parlamentar me shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Për hir të proceseve që kemi apliku, p.sh. aplikimi në Këshillin e Evropës dhe për t’u bërë anëtar, duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Shpresoj ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar, por edhe të opozitës”, tha ajo.

Të ngjashme