Në vazhdën e implementimit të reformës shëndetësore në Kosovë si dhe përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore, me theks të veçantë ne implementimin e konceptit të Mjekësisë familjare, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani nënshkroi sot në Londër me Presidentin e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (RCGP), Terr Kemple, Marrëveshjen e Mirëkuptimit për akreditimin e Programit specialistik të Mjekësisë Familjare në Kosovë nga ana e këtij kolegji.
Marrëveshja e nënshkruar me mandat 5 vjeçar, që është e treta në mes të MSh-se dhe Kolegjit Mbretëror të Mbretërisë së Bashkuar të Anglisë, siguron vazhdimësinë e akreditimit ndërkombëtar të Mjekësisë në Kosovë edhe për pesë vjetët e ardhshëm dhe paraqet një mundësi tjetër për ndërkombëtarizimin e mjekësisë familjare të Kosovës, si një ndër programet specialistike të para të akredituara ndërkombëtarisht si dhe mundësinë që ky program të promovohet në programet e tjera specialistike.
Marrëveshja e mirëkuptimit parasheh një numër objektivash që lidhen me rishikimin e komponentëve akademikë të Kujdesit Parësor Shëndetësor; përditësimin e plan-programit për programin e specializimit për mjekët familjarë në Kosovë, në përputhje me standardet ndërkombëtare për shkollimin mjekësor dhe që mund të vlerësohen sipas standardeve të anëtarësisë ndërkombëtare në RCGP (MRCGP (INT)); mbështetjen e QZHMF-në për rritjen e cilësisë së shkollimit dhe ofrimin e shërbimeve të mjekësisë familjare si dhe mbështetje QZHMF-së për të fuqizuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar programin e specializimit në mjekësi familjare të Kosovës si në nivel të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.
Aktivitetet e ndërlidhura me nënshkrimin e Marrëveshjes, përkatësisht me akreditimin ndërkombëtar financohen nga Qeveria e Luksemburgut.