Gjykatësi britanik, Malcolm Simmons, ish-shef i Gjykatësve Ndërkombëtarë të BE-së prej vitit 2014-2017, me një analizë të publikuar në “The Washington Times”, ka thënë se EULEX-i dhe gjykatësit e Dhomave të Specializuara, që vijnë prej vendeve të ndryshme të BE-së, duhet të ndalen. Ai ka thënë se gjithçka në lidhje me EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë tregon se BE-ja nuk është një peshë e rëndë globale për administrimin e qeverisjes së mirë ndërkombëtare dhe, qartazi, nuk është një shembull që të tjerët do të dëshironin ta imitojnë.
Simmons ka thënë se Shtetet e Bashkuara dikur ndihmuan miqtë e saj në Kosovë të shpëtonin dhe t’i çlironin ata nga spastruesit etnikë serbë. Ndërsa, tani kur liria e tyre kërcënohet përsëri, kësaj here nga evropianët – pastrues të demokracisë, është koha që Amerika t’i detyrojë evropianët që të ndalojnë, sepse liria e Kosovës është në rrezik.
Analiza e plotë ish-shefit të Gjykatësve të EULEX-it e publikuar në “The Washington Times”:
Shpëtimi i Kosovës prej demokracisë së Evropës përmes heqjes së Misionit të Sundimit të Ligjit
Realiteti i politikës së BE-së ndaj Kosovës, ku janë shpenzuar miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë, është i rrezikshëm.
Imagjinoni që Shtetet e Bashkuara ndihmuan në krijimin e një vendi të ri demokratik në zemër të Evropës, duke i çliruar njerëzit e saj nga fqinjët gjenocidalë, vetëm që Bashkimi Evropian të marrë përsipër misionin “ndërtimi i vendit” dhe ta përdorë atë për të përmbysur udhëheqjen e tij të zgjedhur.
Imagjinoni se gjyqtarët e financuar nga BE-ja u vendosën brenda sistemit të drejtësisë të këtij vendi për t’ua “prerë kokën” ligjvënësve të tij demokratikë, duke përfshirë edhe një njeri, të cilin presidenti Biden e përshkroi si “George Washington” i vendit.
Imagjinoni se vendosmëria e BE-së për të arritur këtë qëllim shkoi deri te manipulimi i dëshmitarëve për të dhënë “prova” të rreme dhe, madje, edhe deri te destabilizimi i një procesi paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja.
Ky nuk është një roman i Tom Clancy, por realitet i rrezikshëm i politikës së BE-së ndaj Kosovës, ku për 12 vitet e fundit, miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë janë shpenzuar për ndihmë ushtarake dhe mbështetje të sigurisë, me “nënkontraktimin” e SHBA-së të zhvillimit demokratik të aleatëve të supozuar të saj evropianë.
Por, në vend që të përmirësojë qeverisjen, EULEX-i, “Misioni i Sundimit të Ligjit” – mision ky kronikisht jofunksional i BE-së, ka dëmtuar administrimin e drejtësisë dhe ka injoruar të drejtën e të pandehurve për një gjykim të drejtë. Sipas indeksit të Freedom House të Shteteve të Bashkuara mbi demokracinë, standardet e drejtësisë dhe të qeverisjes së mirë në Kosovë kanë rënë gjatë dekadës së fundit nën vëzhgimin e EULEX-it; bile këtë e ka konfirmuar edhe analiza e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare të Evropës.
Por, përmirësimi i sundimit të ligjit në një vend që ka dalë nga tmerret e luftës nuk ishte kurrë qëllim i EULEX-it dhe as qëllim i Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC), gjykatë me emrin qesharak “gjykata kangur”, e themeluar në Hagë, ku u vendosën të dërguarit për gjykim nga EULEX-i. Qëllimi i saj ishte gjithmonë politik. BE-ja nuk kishte pasur kurrë për qëllim të saj “ndërtimin e kombit” dhe, në mënyrë që ta paraqiste veten si një superfuqi globale për të rivalizuar Shtetet e Bashkuara, Kosova ishte përgjigjja.
Dhe çfarë përgjigje ka qenë se. Duke ofruar “rezultate”, pavarësisht metodave, Evropa mund të demonstrojë statusin e saj të “fuqisë së madhe”. Suksesi i EULEX-it dhe i Dhomave të Specializuara do të përcaktoheshin nga numri i dënimeve. Në të vërtetë, BE-ja nuk kërkoi asgjë më pak.
Gjyqtarët nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së u mblodhën për të dhënë mandatin. Vendet komuniste të Evropës Lindore ishin të preferuarat, sepse, siç më tha një kryetar i dikurshëm i EULEX-it, ata e dinin se çfarë “pritej” prej tyre. Pa përjashtim, ata fitonin dukshëm më shumë sesa fitonin në shtëpi, ku ishin mësuar të punonin shumë më shumë e të fitonin shumë më pak. Ata të gjithë donin që ky proces të vazhdonte për aq kohë sa ishte e mundur dhe shumica ishin të përgatitur të bënin gjithçka që duhej për të siguruar që ata të ruanin pozicionin e tyre.
Por, fakti se gjyqtarët që vijnë nga vendet e varfra, për të dhënë rezultate nën presion të madh politik, ka edhe pasoja. Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se gjyqtarët e EULEX-it u kishin mohuar të pandehurve të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë. Një mision i BE-së i “sundimit të ligjit mohon të drejtën për një gjykim të drejtë?” A mund të bëhet edhe më e përdredhur se kaq? Mundet!
Kur unë dhe profesionistët e tjerë ligjorë të kualifikuar britanikë u bëmë sinjalizues kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve në EULEX, na akuzuan. Në incidente jorelevante, dy gjyqtarë britanikë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, u bënë subjekt i proceseve disiplinore të iniciuara dhe të kontrolluara nga të njëjtët njerëz që kishin akuzuar për sjellje të keqe.
Por, më e keqja nga të gjitha, verën e kaluar, derisa Kosova dhe Serbia fqinje ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshje paqeje në Uashington DC, BE-ja u tërhoq. Për të parandaluar ‘çmimin’ e tyre të madh – Presidentin e Kosovës, njeriun të cilin Joe Biden e krahasoi me Xhorxh Uashingtonin – duke iu aluduar me të drejtë për meritat e paqes, ata qëllimisht nxituan me akuzat për krime kundër njerëzimit kundër tij (madje duke thyer rregullat e gjykatës së tyre përmes këtij veprimi), duke e ndaluar atë të fluturojë në SHBA dhe gati duke prishur tërë marrëveshjen e paqes.
Të pandehurit e tjerë, tashmë të paraqitur përpara gjykatës, janë atje në mënyrë të paqartë për pranimin e dokumenteve të zbuluara nga gjykata e financuar nga BE-ja, ndërsa nuk zhvillohet asnjë hetim se kush i nxori dokumentet ose pse u nxorën ato.
Është e qartë se BE-ja nuk mund të shohë perversitetin e veprimeve të tyre, kur ‘turbullohet’ nga një logjikë e Niksonit: “Kur BE-ja e bën atë, kjo do të thotë se nuk është e paligjshme”. Ata besojnë se duhet të ushtrojnë të drejtën për të mësuar të tjerët sesi të sillen, me çdo mjet të nevojshëm, nëse do të konsiderohen një superfuqi.
Gjithçka në lidhje me EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë tregon se BE-ja nuk është një peshë e rëndë globale për administrimin e qeverisjes së mirë ndërkombëtare dhe, qartazi, nuk është një shembull që të tjerët do të dëshironin ta imitojnë.
Por, Amerika është. Shtetet e Bashkuara dikur ndihmuan miqtë e saj në Kosovë të shpëtonin dhe t’i çlironin ata nga spastruesit etnikë serbë. Tani liria e tyre kërcënohet përsëri, kësaj here nga evropianët – pastrues të demokracisë. Është koha që Amerika të detyrojë evropianët që të ndalojnë: liria e Kosovës tani është në rrezik.
Gjykatësi Malcolm Simmons shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga 2004 në 2017, duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar. Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës. Ai shërbeu si President i Gjykatësve Ndërkombëtarë të BE-së nga 2014 në 2017.