GjAtë ditës së hënë janë përkujtuar të vrarët e masakrës së Rezallës. Familjarët kanë treguar për humbjen që kanë pasur në atë periudhë duke u shprehur të pakënaqur që drejtësia po vonon, raporton Ekonomia Online.
Rrëfime në kuadër të përvjetorit të kësaj masakre pati edhe nga familjari Liridon Hoti i cili kishte humbur babain dhe disa familjarë tjerë.
“Këtu unë kam humbur babain, djalin e axhës që ishte 16 vjeç, axhën tim dhe shumë familjarë të tjerë, une kam qenë prezent dhe më kujtohet mirë ajo periudhë, kemi dëgjuar krisma kemi parë vrasje”, theksoi ai.
Ai ishte vetëm 12 vjeçar dhe e kujton mirë atë periudhë.
Në anën tjetër Florije Beka rrëfeu për humbjen e babait e gjyshit duke thënë se drejtësia për ta nuk po vjen.
“Në këtë masakër kam të vrarë babën, gjyshin dhe shumë familjarë të tjerë. Unë në atë kohë kam qenë mbi 30 vjeç, nuk di çfarë të them drejtësia nuk po vjen, as nga shteti as nga askush. Drejtësia nuk do vije kurrë vetëm Zoti na ndihmoftë”, tha ajo.