Një burrë nga Peja tash e sa vite nuk e ka djalin e tij afër vetes. Diku mes viteve 2012-2013, 33 vjeçari nga Peja, O.K., kishte marrë rrugën drejtë Sirisë.
Në atë kohë, babai i tij, A.K., kishte dëgjuar fjalë nga disa të afërm të tij për shkuarjen e djalit të tij në zonat e konfliktit por nuk i kishte besuar deri sa kishte pranuar një mesazh në telefonin e tij.
“Ma ka lyp hallallin me një mesazh”, rrëfen babai i 33 vjeçarit nga Peja deri sa shton se menjëherë kishte njoftuar institucionet e sigurisë.
“Unë vonë kam marrë vesh fatkeqësisht, ai ka shku përmes Shqipërisë edhe pse e kam informu menjëherë policinë për këtë rast që mos me i ndodh edhe dikujt tjetër. Kam degju që ka shku, e kam pasur një mesazh ma ka lyp hallallin dhe 6-7 muaj nuk kam pasur kontakt. Kam qenë i irrituar, djali i vetëm, i mirë i mençëm katër gjuhë i ka ditë, por fatkeqësisht dikush ka punu me të më shumë se unë edhe shteti jem”, rrëfen A.K.
Ai vazhdon të tregoj se fati i keq ka qenë që nuk kishte parë ndonjë sjellje nga ana e djalit të tij.
“Fati i keq është që unë nuk kam pa shenja, ndoshta një shenjë e vogël pati nisur mu falë, por për mua ka qenë normale dhe pse vetë nuk jam falë. Në ramazan nuk vike me hangër buk me ne, pata kërku prej tij i pata thanë mu kthy në rrugë të zotit, më ka thënë ‘cila është rruga e zotit’ i kam thanë prindi, më ka thanë a mos me u falë, i kam thënë me u fal po, pastaj krisi kjo çka krisi por nuk kam pas informacione as unë as nëna e tij”, vazhdon rrëfimin babai i 33 vjeçarit.
A.K., nga Peja edhe sot e ka djalin gjallë por nuk e di saktë vendndodhjen e tij.
Ai ka kërkuar disa herë nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që ta ndihmojnë në kthimin e djalit të tij.
Madje babai shprehet se djali i tij është i gatshëm të përballet me drejtësinë por me një kusht.
“Sot po kërkoj me i pru fmijtë dhe nusen, e djali vjen vet pastaj. Ai është deklaru që nuk do të ketë problem dhe se do të përballet me drejtësinë, pengesë që nuk është kthyer ai është se gruaja dhe fmitë nuk kanë dokumentacion. Ai ka shkuar atje që 9 vite por me një fjalë nuk është ai që ka qenë, Ai që ka shku nuk është sot, është djali që ka qenë para se me shku në Siri”, vazhdon të tregoj babai.
Një rast tjetër ka transmetuar në dokumentarin e “KallxoPernime”, në Gjilan.
Një grua gjatë kohës së ishte shtatzënë, burri i kishte shkuar në Siri. Që nga ajo kohë, nuk e din edhe sot nëse burri i saj është gjallë apo jo.
“Herën e parë kur ka shku, unë kam qenë në muajin e 7 të shtatzënisë edhe pastaj ai ka nejt tre muaj atje dhe është kthyer prapë. Kur i ka bo djali 4 muaj aj ka shku prapë atje, ka lajmëru që është në Siri dhe nuk u kthye asnjëherë”, thotë gruaja.
Ajo tregon tutje se asnjëherë më nuk ka pasur kontakt me të.
“Nuk dim asgjë, nuk ka folë asnjëherë, unë jam martu me mësit. Shumë pak kohë më pas jemi martu. Burri e ka pasur të kryer shkollën e mesme, ka qenë fetar kur jemi martuar edhe familjen e ka fetare. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Herën e parë kur ka shku burri ka nejt ka nejt 3 muaj, ai nuk ka kallëzu, ka shku për punë si përherë qysh ka punu masi u kthy ka tregu që ka qenë atje, ndërsa për herën e dyte nuk e kemi ditë. Kur është kthyer nuk ka folur asgjë as nuk ka tregu që ka me shku prapë, ka thënë që është shku në Turqi me punu edhe është kthy në Kosovë. Kur ka shku herën e dytë kemi folë njo 2-3 javë edhe kurrë më”, rrëfen gruaja e cila momentalisht po jeton në familjen e saj.