Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, vizitoi Komunën e Junikut dhe u takua me kryetarin e kësaj komune, Agron Kuçi. Lekaj dhe Kuçi kanë nënshkruar një marrëveshje në lidhje me fillimin e punimeve në asfaltimin e rrugës Junik – fshati Gjocaj Jasiq.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kjo ditë po dëshmon se Ministria e Infrastrukturës dhe qeveria e Haradinajt po punojnë për secilën komunë për të u lehtësuar dhe përmirësuar jetesën dhe mirëqenien e tyre sociale, raporton EkonomiaOnline.
“Dita e sotme është dëshmi që ne po i përkrahim komunat që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien sociale dhe kjo dëshmon se qeveria Haradinaj bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës do të jenë mbështetës të komunave që është dera e parë e kërkesës së qytetarëve, prandaj me ndjenjat më të mira sot jemi këtu që të nënshkruajmë këtë kontratë që ka ndikim pozitiv të zhvillimit e turizmit dhe që ne të ua mundësojmë qytetarëve të lëvizin lirshëm drejtë bjeshkëve që me të vërtetë krenohet Juniku, por edhe tërë Kosova”, tha Lekaj.
“Ne po dëshmojmë çdo ditë që jo vetëm në Junik, por në çdo komunë po punojmë në të mirën e qytetarëve”, shtoi ai.
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi tha se kjo marrëveshje do të ndikoj pozitivisht në zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të komunës së Junikut, raporton EO.
“Sot patëm nderë të kemi në vizitë ministrin Lekaj njëkohësisht gjatë kësaj kohe bëmë edhe nënshkrimin e kontratës me operatorin Joos Krasniqi, i cili do të zhvillojë punimet në asfaltimin e rrugës Junik, fshati Gjocaj Jasiq që është edhe faza e parë në drejtim të rrugës së Gjeravicës, që paraqet segmentin kryesorë për Komunën e Junikut, por edhe për rajon, për zhvillimin e turizmit”, tha Kuçi.
“Kjo rrugë do të hapet dhe do asfaltohet me ndihmën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe falënderojë ministrin Lekaj, i cili po përkrah projektet zhvillimore dhe projektet me zhvillimin e turizmit siç është kjo rrugë që paraqet segmentin më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit”, tha Kuçi.