Rrejn kur flasin. Rrejn kur pyesin. Rrejn kur përgjigjen. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur ëndërrojnë. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur rrejnë.
Nuk rrejn rrallë e pa të keq. Se ashtu e kanë tipin. Se të tillë e kanë vesin.
Rrejn gjithë kohën. Rrenin dje, rrejn sot, do rrejn nesër, do rrejn deri ditën e fundit, deri frymën e fundit.
Nuk rrejn as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen doresh. Rrejn pa u menduar.
Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak.
Rrejn kot. Rrejn pa e ditur pse rrejn.
Rrena i ka këmbët e shkurtëra, thonë, rrena ka bisht, etj. etj. demek sikur brenda të vërtetës së përherëshme rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejn.
Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien.
Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën
I bëjnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur.
Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur.
Merimanga e rrenave ka depërtuar në çdo qelizë.
Duke rrejt e bëjnë hajdutin të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.
Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh.
Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale.
Kapilarizimi i pandalshëm i rrenës nga periferia në qëndër, nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.
Nuk rrejn një herë që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh.
Rrejn pafundësisht. Rrena këtu në tempullin e egërsisë dhe pabesisë është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta helmojë.
Rrejn të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejn pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.
Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat, rrejn konferencat, kongreset gjithashtu rrejn, mbledhjet rrejn, të gjitha dhe të gjithë veçse rrejn dhe rrehen.
Rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejn spiunat.
Rrejn dhe rrehen të gjithë.
Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejn tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Rrejn opinionistat, analistat, redaksionalistat.
Para, mbrapa, majtas, djathtas, lart, posht, rrena dhe vetëm rrena.
Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk e gjen dot. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund.
Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën e saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.
E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga një mal me të tjera rrena.