Udhëheqësit e Kosovës, këta të rinjtë, siç u pëlqen të quhen, ndonëse kanë qeverisë më gjatë se ata që i përbaltin e shajnë përditë – që tash e gati katër vjet flasin për luftë dhe flasin me ton agresiv kundër perëndimit.
Nuk lënë rast pa treguar kush është fajtor. Nuk lënë ditë pa treguar sa e papërgjegjshme është Europa, sa naiv është sekretari amerikan, presideti francez, çfarë ngjyre të verdhë ka Shtëpia e Bardhë, si aty luhet me thika mbi hartën e Kosovës, sa i keq është kryeministri i Shqipërisë.
Por, këtyre mjeranave mendjekëqij zor t’ ju gjesh një deklaratë normale ku ata tregojnë kënd e vlerësojnë, kënd e duan, çfarë vlera përfaqësojnë dhe kush është i mirë për ta? Cilat janë cilësitë e tyre?
Që krejt bota të jetë e keqe e këta të mirë, kjo është një rrenë e madhe që ka kurthuar dhe trazuar Kosovën.
Mbase, vlera më e fortë e tyre duket tërbimi kundër të tjerëve – rrugë të cilën e kanë ndjekë me devocion e besnikëri absolute.
Ama me këto standarde të përdala politike, Kosova s’mund të bëjë asnjë hap përpara.
Këto standarde vendin tonë e kanë futë nën sanksione, duke njollësë keq imazhin e tij. Dhe kjo është njollë, gropë e zezë të cilën e kanë hapë udhëheqësit tanë me një tufë militantësh që i kanë marrë kazmet e s’çajnë kryet çfarë po gropojnë.
Kosova kurrë s’ka fituar duke treguar sa e keqe është Serbia (gjë të cilën Perëndimi e di mirë), por ka fituar gjithçka duke treguar se sa e mirë është Kosova.